Fatkeqësisht është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Luc Montagnier, virologu francez i vlerësuar me çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 2008 për zbulimin e HIV që shkakton AIDS-in. Montagnier u nderua me çmimin Nobel së bashku me kolegen e tij Françoise Barré-Sinoussi, të cilët të dy punuan për Institutin Pasteur në Paris, ku izoluan virusin në fillim të viteve 1980. Zbulimi formoi bazën për mjekimet e sotme kundër SIDA-s.
Montagnier u angazhua në një betejë të gjatë me virologun amerikan Robert Gallo për zbulimin e HIV-it dhe patentave përkatëse për testimin e virusit. Komiteti Nobel arriti në përfundimin se zbulimi ishte bërë në Francë. Montagnier aplikoi për licensën që i jepte të drejtën për të kryer testin e parë të AIDS-it gjysmë viti përpara Gallo, megjithëse Gallo-s i ishte miratuar më herët nga zyra e autoritetit në SHBA. Konflikti u zgjidh në vitin 1994.
Gjatë viteve të fundit, Montagnier mbështeti ide të diskutueshme. Gjatë pandemisë së koronavirusit, ai sugjeroi që variantet mund të shkaktohen nga vaksinimi. Ai gjithashtu shprehu dyshimin se virusi ishte krijuar qëllimisht. Montanier pretendoi se biologë molekularë kanë vendosur një sekuence ADN-je të HIV-it në një koronavirus, ndoshta si pjesë e punës së tyre për të gjetur një vaksinë kundër SIDA-s. Ai shtoi se nuk është e qartë si ka arritur më pas virusi të dalë nga laboratori, ndërsa foli për një “aksident instrustrial”. Montagnier theksoi se nuk është i pari që bën një lidhje të tillë. Ekzistojnë në fakt teori të shumta të cilat pretendojnë se COVID-19 e ka origjinën tek manipulimi gjenetik, por Kina i ka hedhur poshtë të gjithë supozimet se koronavirusi mund ta ketë origjinën në laboratorin e patogjenëve të rrezikshëm në Wuhan.