Bota

Shuhet në moshën 87-vjeçare aktorja e njohur Glenda Jackson!

Aktorja e njohur, Glenda Jackson ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, pas një sëmundjeje sipas agjentit të saj, Lionel Larner. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh:

Një nga aktoret më të mëdha në botë dhe një nga mikeshat e mia më të mira ka ndërruar jetë. Jackson u shua të enjten në mëngjes në shtëpinë e saj në Londër.

Përveç një karriere të shquar që përfshinte çmimet Oscar, Tony dhe Emmy, Jackson përfaqësoi distriktin e saj në Londër si anëtare e Dhomës së Komunave të Parlamentit për 23 vjet. Ajo dallohej si një nga aktoret më të mirë të brezit të saj. Për herë të parë tërhoqi vëmendjen në vitin 1964 me “Royal Shakespeare Company” kur ajo luajti Charlotte Corday në produksionin e Peter Brook të “Marat/Sade”, vendosur në një spital mendor. Ajo përsëriti rolin e saj në filmin e vitit 1967.

Lindur në qytetin veriperëndimor të Birkenhead në Angli në vitin 1936, Jackson iu bashkua një grupi teatror amator kur ishte adoleshente përpara se të fitonte një bursë për Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Londër. Pas diplomimit ajo luajti në “West End” të Londrës dhe bëri debutimin e saj në Broadway në vitin 1965.

Ajo fitoi çmimin e saj të parë Oscar për aktoren më të mirë për rolin e saj përballë Oliver Reed në dramën e periudhës së vitit 1969 “Woman in Love”. Në vitin 1992 ajo iu drejtua politikës, duke u bërë deputete e Partisë Laburiste ndërsa partia ishte në opozitë. Ajo ishte deputete për 23 vjet, gjatë së cilës partia e saj erdhi në pushtet nën udhëheqjen e Tony Blair.

Në atë kohë, Jackson u emërua ministre e transportit në 1997 dhe mbajti postin për dy vjet. Ajo bëri një përpjekje për t’u bërë kryebashkiake e Londrës në vitin 2000, por humbi nga kandidati i pavarur Ken Livingstone. Ylli i filmit u kthye në skenë në vitin 2016 duke luajtur në një produksion të West End të “King Lir”. Jackson mori vlerësime të mëtejshme kur fitoi një çmim Tony në 2018 për paraqitjen e saj në produksionin e Broadway të “Three Tall Women”. Projekti i saj i fundit në ekran, “The Great Escaper”, është në post-produksion.