Fatkeqësisht ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare këngëtarja Lisa Marie Presley, vajza e vetme e legjendës Elvis Presley. E ndjera ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak. Artistja dhe filantropistja, autore e tre albumeve të vlerësuar nga kritika, vetëm pak ditë më parë ishte e pranishme në ceremoninë e Golden Globe me të ëmën Priscilla.
Lisa Presley është trashëgimtarja e vetme e Elvis Presley dhe është martuar 4 herë, ndër to edhe me yllin e pop-it Michael Jackson dhe shkurtimisht edhe me atë të Hollivudit Nicolas Cage. E lindur në Memphis, Tennessee më 1 shkurt 1968, saktësisht nëntë muaj pas dasmës së Elvisit dhe Priscilla-s, Lisa Marie u rrit për pak kohë në zonë përpara se të transferohej në Los Anxhelos në moshën 4-vjeçare me nënën e saj pas divorcit të prindërve të saj në 1973.
Elvis ndërroi jetë në gusht 1977 kur Lisa Marie ishte 9 vjeçe, duke e bërë atë trashëgimtare të përbashkët të pasurisë së tij së bashku me gjyshin Vernon Presley dhe stërgjyshen Minnie Mae Hood Presley. Pas vdekjes së tyre në 1979 dhe 1980, ajo u bë trashëgimtare e vetme dhe trashëgoi gjithashtu rezidencën e babait të saj në Graceland. “Ai gjithmonë më zgjonte për të kënduar në mes të natës, hipte në tavolinë dhe këndonte”, kujtoi Lisa Marie për kohën e saj me Elvisin në ‘Good Morning America’ në vitin 2009.
Në tetor 1988, Lisa Marie u martua me Danny Keough, një muzikant me bazë në Çikago, me të cilin ajo mirëpriti dy fëmijë: vajzën Riley në 1989 dhe djalin Benjamin në 1992. Pas pesë vjet e gjysmë martesë, çifti u divorcua në maj 1994. Lisa Marie ishte gjithashtu një filantropiste e përkushtuar, pasi ajo mbikëqyri prej kohësh Fondacionin Bamirës Elvis Presley për familjet e pastreha.