Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar pas vdekjes së aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi.
Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi, shkruan Begaj.
LAMTUMIRË MIRUSH, shkruan Rama.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehet se shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij.
Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Metalentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!, shkruan Nikolla.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se ai ishte një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
Pikëllim të madh për largimin në amshim të “Nderit të Kombit”, Mirush Kabashi, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar. Interpretimet emocionuese të këtij artisti të jashtëzakonshëm, personazhet që jetësoi në film e teatër, si dhe trashëgimia e vyer artistike që fituan zemrat dhe merituan duartrokitjet e ngrohta të artdashësve do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë me respekt! Ngushëllimet më të ndjera për familjen, shkruan Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social, Basha shkruan se Kabashi do të mbetet i paharruar si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza.
I hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit. Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza. Ngushëllimet e mia më të ndjera. Lutjet e mendimet e mia janë me familjen Kabashi, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e shumtë të mjeshtrit të madh- shkruan Basha.