Aktualitet

Shuhet Agim Doçi, dy ditë më parë pësoi hemorragji cerebrale!

Ndërroi jetë poeti dhe autori i njohur i shumë këngëve të festivaleve, Agim Doçi, dy ditë pasi pësoi hemorragji cerebrale. Të shtunën në mëngjes, 76-vjeçari u shtrua në Shërbimin Neurovaskular të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe menjëherë më pas u dërgua në reanimacionin e këtij shërbimi. Top Channel pati kontaktuar me mjekë, të cilët thanë se po përpiqeshin për të ofruar maksimumin, por për fat të keq, Agim Doçi paraqitej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lamtumirë Lamtumirë, Agim Doçi!
O pendë artë e vargut poetik e të kënduar në breza.
Te kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë, plot shpresë, mençuri, dashuri, patriotizëm, vlera duke skalitur në mos harresë emrin Agim Doçi. Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar. Lamtumirë Agim Doçi! shkruan këngëtarja e njohur Myfarete Laze në një postim në Facebook ku iu shpreh ngushëllime familjarëve. Pushofsh në paqe me Zotin tënd!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha sot se poeti Agim Doçi do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë.

Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të mijëra këngëve, të qindra këngëve për Kosovën, të dhjetra çmimeve të fituara në festivale, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri. Por artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë. U prehsh në paqe, Mjeshtër!

Ceremonia e varrimit që do të paraprihet nga homazhet, zhvillohet nesër në Tiranë. Agim Doçi ishte autor i mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare. I lindur më 9 maj 1948, u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë, etj. Në fund të viteve ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Më 1989-ën u dënua duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Gjithashtu u përfshih në lëvizjet e dhjetorit 1990 që çuan në përmbysjen e regjimit komunist.