Babai i Meghan Markle, Thomas Markle, së fundmi thuhet se është shtruar në spital pasi besohet se ka pësuar një goditje në tru. 77-vjeçari u fotografua duke hyrë në një ambulancë në Tijuana, Meksikë, me një maskë oksigjeni në fytyrën e tij. Sipas ‘TMZ’, Thomas u dërgua me urgjencë përtej kufirit në një spital në Chula Vista, Kaliforni, rreth orës 21:30 me orën lokale ditën e hënë.
Ai thuhet se nuk mund të fliste me mjekët dhe i shkroi simptomat e tij në një copë letër. Vajza e Thomas, Samantha Markle tha për ‘Daily Mail’ se:
Babai im po shërohet në spital. Kërkojmë privatësi për familjen, për shëndetin dhe mirëqenien e tij. Ai ka nevojë vetëm për paqe dhe pushim. Është e tmerrshme se sa shumë është torturuar dhe sa shumë i është dashur të kalojë falë shpërfilljes së motrës sime vitet e fundit. Kjo është e pafalshme.
Ndërkohë, Samantha ka fajësuar prej kohësh Dukeshën e Sussex-it për problemet e babait të tyre me shëndetin. Së fundmi, Meghan Markle u padit edhe për shpifje nga motra e saj Samantha Markle, e cila pretendon se Dukesha e Sussex-it ka gënjyer gjatë intervistës që ajo dhe Princi Harry dhanë për Oprah Winfrey-t gati një vit më parë. Ajo thekson se Meghan ka gënjyer kur tha se në moshën 13-vjeçare duhej të bënte punë me paga të ulëta për t’ia dalë mbanë.
Ajo pretendon se Dukesha, nënë e dy fëmijëve, nuk ka punuar kurrë për të paguar universitetin. Sipas saj babai i tyre, Thomas Markle, pagoi që Meghan të ndiqte shkolla private elitare dhe të shtrenjta. Samantha thuhet se akuzoi Meghan se ka ndikuar negativisht në shitjet e autobiografisë së saj, duke e penguar atë të gjejë punë dhe duke i shkaktuar shqetësime emocionale dhe mendore, për këtë arsye ajo po kërkon 75 000 dollarë dëmshpërblim.