Bota

Shtrenjtohen dekoret për Ramazan!

Fenerët dekorativë të muajit të Ramazanit, janë shtrenjtuar shumë këtë vit në Kajro. Besimtarët thonë se pavarësisht kësaj rritje çmimesh shtëpinë nuk do ta lënë pa dekorin tradicional të muajit të bekuar. Përpara xhamisë historike al-Sayeda Zainab në qendër të Kajros, fenerë të mëdhenj dhe shumëngjyrësh mbushën rrugët.

Në këtë vend feneri nuk është vetëm një send dekorativ, por është një traditë, një histori. Disa blerës thanë se çmimet e fenerëve dekorativë tradicionalë janë më të larta se vitet e kaluara. Megjithatë, ata thanë se do ta blejnë atë për të përjetuar frymën e muajit.

Ndryshimin e çmimit të këtij produkti e ndjejnë të gjithë. Ata thonë se fenerët që janë prodhuar në Egjipt kanë një çmim më të përballueshëm, ndërsa ja vënë fajin shtrenjtimit të lëndës së parë që përdoret për fenerët e ramazanit.  Ndërkaq, agjërimi gjatë muajit të Ramazanit mund të sjellë shumë përfitime në aspektin e shëndetit fizik dhe mendor.

Duke respektuar agjërimin gjatë ditës, trupi merr pushim nga tretja e vazhdueshme, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit metabolik dhe promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Ndërkaq, a e keni menduar ndonjëherë se çfarë duhet të bëni për të treguar respekt ndaj miqve apo familjarëve që agjërojnë?

Për 30 ditët në vazhdim, myslimanët nuk do të konsumojnë as ushqim e as pije nga lindja e diellit e deri në perëndim, por kjo nuk do të thotë që jeta nuk vazhdon normalisht. Thjesht përpiquni të mos lini një drekë pune. Nëse kolegu juaj mysliman refuzon të vijë, tregohuni të kuptueshëm.

Nuk keni pse agjëroni me miqtë tuaj myslimanë. Mundeni nëse doni të shihni si është, por nuk jeni të detyruar edhe nëse marrëdhënia me personin që agjëron është shumë e ngushtë. Mund t’u bashkoheni për Iftar. Iftar quhet vakti që konsumohet pasi perëndon dielli. Myslimanet organizojnë darka të mëdha familjare. Mund t’u bashkoheni nëse ju ftojnë apo nëse dëshironi.