Në 16 janar DPSHTRR ka bërë rishikimin e një sërë tarifave për shërbimet e lejedrejtimit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 5 shkurti.
Regjistrimi për provimin e teorisë është bërë 2000 lek, ndërsa regjistrimi për provimin e praktikës për kategorinë B është bërë 1800 lek. Ndryshime ka edhe për tarifat e riprovimeve, ku për teorinë, kategoria B është bërë 2200 lek, ndërsa për kategoritë e tjera shtesë, 2800 lek. Gjithashtu tarifa për testin e rimarrjes së pikëve është vendosur në 5000 lek.
Ndryshime ka dhe për tarifat e kartonit të patentës. Ato janë rritur me 1000 lekë, por afati i tyre është zgjatur në 15 vjet. DPSHTRR thotë se kjo i kursen qytetarëve para. Rritje ka pësuar edhe tarifa për kartonin e patentës ndërkombëtare në 1000 lek, por afati i vlefshmërisë është zgjatur në 3 vite.
Grupmosha mbi 65 vjeç ka lehtësinë më të madhe pasi për ta tarifa e patentës ulet në 2000 lek me afat 15 vite.
Shoqata kombëtare e autoshkollave shprehet e shqetësuar për njoftimin pasi sipas tyre nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve, ndërsa kostot për patentat e reja rriten me minimalisht 5000 – 6000 lekë.
Shoqata e autoshkollave kërkon formalizimin e mëtejshëm të tregut.
Në një marrëveshje gjatë vitit të kaluar DPSHTRR dhe shoqatat e autoshkollave miratuan çmimet për një orë mësimi, gjë që solli mjaft reagime për rritjen e tarifës. Vendimi u shty për hyrjen në fuqi, pasi autoriteti konkurrencës vendosi të pezullojë marrëveshjen si cenim i konkurrencës në treg.