Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka njoftuar se festimet e Krishtlindjeve në vendin e tij do të nisin që në tetor. “Është shtator dhe që tani ka një atmosferë Krishtlindjesh. Dhe kjo është arsyeja pse këtë vit, në shenjë mirënjohjeje ndaj jush, unë do të dekretoj Krishtlindjet e hershme që nga data 1 tetor”-tha presidenti venezuelian në programin e tij televiziv, pak pasi Prokuroria urdhëroi arrestimin e kandidatit të opozitës, Edmundo González, i akuzuar për krime të lidhura me terrorizmin.
Nuk është hera e parë që Presidenti venezuelian i feston më shpejt Krishtlindjet në Venezuelë. Në vitin 2020, festimet nisën më 15 tetor, si një manovër shpërqendrimi përballë problemeve serioze që po kalonte vendi gjatë pandemisë Covid-19. Maduro donte të kujtonte atë që ndodhi të premten e kaluar, më 30 gusht, kur një ndërprerje masive e energjie elektrike preku rreth 80% të territorit të Venezuelës. Autoritetet ia atribuan kolapsin e sistemit elektrik kundërshtarëve të tyre politikë.
Megjithatë, Presidenti deklaroi: “Njerëzit vazhduan të punonin dhe me mbështetjen e klasës punëtore, në një bashkëpunim të përsosur civilo-ushtarako-policor, ne garantuam paqen absolute”. Pas kësaj, Maduro shtoi: “Krishtlindjet fillojnë më 1 tetor. Për të gjithë, Krishtlindjet kanë ardhur, me paqe, lumturi dhe siguri.”