Aktualitet Politikë Rajoni

“Shteti Bektashi”, trondit Greqinë, mediat flasin për një “plan misterioz”

Krijimi i shtetit bektashi në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Kështu pas atyre turke dhe franceze, janë mediat greke që i bëjnë jehonë kësaj ideje.

Me titullin “Vatikan” islamik në Tiranë”, “Ta Nea” shkruan se ky shtet krijohet me mbështetjen e Edi Ramës dhe Rexhep Erdoganit.

“Cili është Urdhri Bektashi që dëshiron ta mbrojë kryeministri shqiptar me ndihmën e presidentit turk”, thuhet në artikull, duke ngritur pyetjen se përse po krijohet një shtet i veçantë dhe çfarë qëllimeve do tu shërbejë.

“ProtoThema” gjithashtu i ka kushtuar një artikull.

“Reagojnë bektashinjtë ndaj planit të Edi Ramës për një shtet të pavarur në Shqipëri”, ku artikulli ju referohet deklaratave të kreut të Federatës së Alevitëve të Turqisë, Zeynel Abedin Koç, sipas të cilit bektashinjtë e Turqisë nuk miratojnë në asnjë mënyrë një shtet që bazohet në një besim dhe për më tepër në Shqipëri ku jetojnë rreth 115 mijë bektashinj, ose 5% të popullsisë së vendit.

“Si alevitë që jetojmë në Turqi, ne mbajmë qëndrimin tonë në favor të laicizmit. Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë nga Turqia”, citohet të ketë deklaruar ai.

Gazeta “Kontra” shkruan se “ky është plani i Erdoganit dhe Ramës për të krijuar një qendër për infiltrimin e myslimanëve në Ballkan”.

“Një Vatikan i Islamit po krijohet në Shqipëri”, thuhet në artikull. Sipas gazetës shteti i pavarur do të ketë bankën e tij dhe do të presë udhëheqës fetarë nga Turqia dhe vendet arabe.

Erdogan dhe Rama po krijojnë lojëra të reja të hapura me faktorin fetar mysliman në Ballkan dhe janë gati të depërtojnë në rajon dhe të bëjnë presion ndaj Greqisë, por edhe Serbisë dhe Bullgarisë përmes këtij faktori shkruan gazeta.

“Demokracia” ka në faqen e parë të saj artikullin me titull “Rama planifikon një mekë të re për fanatikët myslimanë. Çfarë rreziqesh lindin për vendin tonë, reagon Turqia”.

Ndërsa edhe e përditshmja “Apogjevmatini” komenton: Çfarë po bën Rama me shtetin e pavarur të Allahut në Tiranë”.

“Eleftheros Tipos” e cilëson “shtetin bektashi” si një plan misterioz të Ramës për një shtet islamik në Shqipëri.