Rreshteri i ushtrisë amerikane, Gordon Black – i cili u arrestua në qytetin Vladivostok në fillim të majit nën dyshimin për vjedhje – tani akuzohet edhe se e ka kërcënuar me vrasje partneren e vet ruse, sipas mediave ruse.
Zyra e Prokurorit të Qarkut në Vladivostok tha në një komunikatë për media më 27 maj se dokumentet përfundimtare të aktakuzës kundër “një qytetari amerikan” janë dorëzuar dhe se rasti është dërguar në gjykatë.
“Burri, i lindur më 1989, akuzohet se në maj 2024, derisa po qëndronte në një banesë në rrugën ‘Sakhalin’ në Vladivostok, e cila është në pronësi të një gruaje me të cilën ai njihet, dhe ku ai po jetonte me të prej prillit, e kapi atë me forcë në qafë gjatë një grindjeje. Ajo e cilësoi këtë si kërcënim për jetën e saj”, thuhet në komunikatën e prokurorit.
“I dyshuari i vodhi pastaj 10.000 rubla [110 dollarë] nga kuleta e viktimës, të cilat ai i shpenzoi për nevojat e veta, përfshirë për ta paguar një dhomë në një hotel, ku u arrestua”, thuhet në komunikatë.
Nëse shpallet fajtor për të dyja akuzat, Black mund të dënohet deri me shtatë vjet burgim.
Autoritetet amerikane thanë më herët se Black ishte arrestuar në Rusi dhe se akuzohej për plaçkitje nga një grua. Black shërbente në ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut dhe pritej të kthehej në Teksas, por zgjodhi të udhëtonte në Rusi, sipas zyrtarëve amerikanë.
Disa javë më vonë, autoritetet ruse thanë se një shtetas tjetër amerikan, i identifikuar si William Russell Nycum, u arrestua në fund të prillit nën akuzat për “huliganizëm” dhe alkool, në një rast të ndarë. Ai po mbahej në një qendër ndalimi në Moskë.
Arrestimi i tyre ka ngritur dyshime nëse autoritetet ruse po i ndalojnë amerikanët me qëllim për t’i përdorur për shkëmbim ttë burgosurish, në një kohë mosmarrëveshjesh së mëdha mes Moskës dhe Uashingtonit për luftën në Ukrainë dhe për çështje të tjera të sigurisë ndërkombëtare.
Ndalimi i Blackut dhe Nycumit e shton listën e zyrtarëve amerikanë që po mbahen në Rusi nën rrethana të ndryshme dhe po ndodh derisa tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të lartë prej Luftës së Ftohtë.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, si dhe gazetari i The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të cilët Rusia i arrestoi për akuza, të cilat ata dhe punëdhënësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.
Më 2020, amerikani Paul Whelan u shpall fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim në Rusi për akuzat për spiunazh. Ai dhe Qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat kundër tij.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se rastet e Blackut dhe Nycumit nuk janë politike dhe asnjëri prej tyre nuk akuzohet për spiunazh.
Departamenti amerikan i Shtetit në shtator 2023 i paralajmëroi qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Rusi.