Bota

Shtëpia e Bardhë: Nuk ka ndryshim të politikës ndaj Izraelit pas sulmit në Rafah!

Shtëpia e Bardhë dënoi humbjen e jetës së dhjetëra civilëve si rezultat i një sulmi ajror izraelit në Rafah, por tha se nuk planifikon ndryshim të politikës si rezultat i veprimeve të Izraelit. Gazetarëve, zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, iu tha se “Izraeli nuk e ka shkelur “vijën e kuqe” të presidentit Joe Biden, për ndalimin e armëve sulmuese në të ardhmen”, sepse sipas SHBA-ve, nuk do të nisë një pushtim tokësor në shkallë të plotë, në qytetin jugor të Gazës.

Më herët gjatë muajit, Biden tha se do të kufizojë furnizimet me armë për Izraelin, nëse ushtria e tij hyn në qendrat e banuara të Rafahut. Kirby theksoi:

Gjithçka që mund të shohim na tregon se ata nuk po lëvizin drejt një operacioni të madh tokësor në qendrat e banuara në qendër të Rafahut.

Nga sulmi izraelit i së dielës, shumica e të vrarëve strehoheshin në tenda. Biden dhe këshilltarët e tij të lartë, vazhdimisht kanë paralajmëruar izraelitët që të mos kryejnë operacione në shkallë të gjerë në Rafah, pa një plan për të ofruar siguri për civilët e pafajshëm. Por, administrata Biden e bëri të qartë se nuk do të kufizojë, të paktën jo menjëherë, mbështetjen për Izraelin për shkak të sulmit.

Udhëheqësit e tjerë botërorë kanë dënuar ashpër sulmin në Rafah e që ndodhi vetëm dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që t’i japë fund ofensivës ushtarake atje. Më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milion banorëshe e Gazës është strehuar në Rafah për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Mijëra persona vazhdojnë të qëndrojnë ndërsa shumë të tjerë janë larguar.

Kirby tha:

Biden nuk merr vendime bazuar në popullaritet apo sondazhe të opinionit publik të realizuara këtu [SHBA] apo në mbarë botën.  Nuk është në interesin e SHBA-ve apo “të partnerit tonë, Izraelit, që ai të izolohet edhe më shumë në skenën botërore.

Ndërkaq, dënoi humbjen e jetës së civilëve, që e cilësoi si të “tmerrshme”. Kirby shtoi se SHBA-të po monitorojnë rezultatet e hetimit izraelit për sulmin.

Ne e kuptojmë që ky sulm la të vrarë dy drejtues të lartë të Hamasit, [grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian] të cilët ishin drejtpërdrejtë përgjegjës për sulmet. Shpesh, Uashingtoni ka thënë se Izraeli duhet të ndërmarrë çdo masë të mundshme për të mbrojtur jetën e të pafajshmëve.

Lufta në Gaza nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, deri tani në Gaza janë vrarë më shumë se 38 mijë persona.