Celebrities Gossip Showbiz

Shtëpia e aktorit të njohur Keanu Reeves “shënjestër” e hajdutëve të maskuar! Policia nis hetimet…

Shtëpia e Keanu Reeves në Hollywood Hills ishte shënjestër e disa grabitësve të maskuar të cilët u larguan me armë zjarri, sipas raportimeve. Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit iu përgjigj një telefonate anonime për një grabitje të mundshme në pronën e yllit të “Matrix” të mërkurën në mbrëmje, por nuk gjeti askënd atje.

Megjithatë, oficerët u kthyen pesë orë më vonë kur u ra alarmi dhe panë në kamerat e sigurisë disa burra me maska skish duke thyer një dritare dhe duke hyrë në shtëpinë e aktorit. Të dyshuarit kanë marrë një armë zjarri nga shtëpia para se të largohen, thuhet në raport. Fatmirësisht Reeves nuk ishte në shtëpi në atë kohë.

Kjo nuk është hera e parë që cënohet siguria dhe shtëpia e Reeves. Në vitin 2014, ai u përball me dy grabitës. Një grua hyri në rezidencë teksa ylli i “John Wick” ishte duke fjetur në karrigen e tij në bibliotekë. Pasi Reeves u zgjua dhe foli me gruan e paidentifikuar, e cila dyshohet se tha se ishte atje vetëm për ta takuar atë ai telefonoi policinë.

Vetëm një ditë më vonë, një grua tjetër dyshohet se hyri në shtëpinë e tij përmes një dere të hapur, teksa Keanu nuk ishte në shtëpi. Ajo dyshohet se u zhvesh, u hodh në dush dhe u zhyt në pishinën e tij, përpara se ekipi i pastrimit të telefononte policinë. Të dyja u shoqëruan në polici dhe qëndruan në paraburgim.

Në fillim të këtij viti, Reeves dhe partnerja e tij, Alexandra Grant, morën gjithashtu një urdhër mbrojtje të përkohshëm kundër një burri që pretendonte se është i lidhur me aktorin. Bryan Keith Dixon raportohet se ka shkelur në pronën e aktorit me vlerë 5.6 milionë dollarë në Hollywood Hills gjashtë herë midis 5 nëntorit dhe 20 janarit.