Bota

Shtami i ri i gripit të shpendëve, viktima e parë në Meksikë!

Organizata Botërore e Shëndetësisë pohoi se vdekja e një 59-vjeçari në Meksikë ishte e para nga shtami i ri i gripit i shpendëve, H5N2, i cili nuk ishte gjetur kurrë ndonjëherë deri tani tek njerëzit.

OBSH thotë se ende nuk është e qartë sesi u infektua personi në fjalë.  “Megjithatë, edhe pse burimi i ekspozimit ndaj virusit në këtë rast është aktualisht i panjohur, shtami AH5N2 është raportuar tashmë te shpendët në Meksikë”, theksohet në deklaratën e saj.

Shkencëtarët janë vënë në gatishmëri për ndryshimet e viruseve që mund të sinjalizojnë se gripi i shpendëve po përshtatet për t’u përhapur më lehtë te njerëzit, edhe pse sipas agjencisë së njohur të shëndetit, rreziku aktual i këtij gripi për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët.

Burri 59-vjeçar, i cili ishte shtruar në spital në Mexico City, vdiq pasi shfaqi ethe të forta, gulçim, diarre, e të vjella. Por sakaq, të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të kanë rezultuar negativë, thuhet në të.

Në mars, qeveria e Meksikës raportoi një shpërthim të A(H5N2) në një fermë të izoluar në rajonin perëndimor Michoacan, por asokohe se ai nuk përbënte rrezik për shëndetin e njeriut.

Varietete të tjerë të gripit të shpendëve kanë marrë me dhjetëra jetë njerëzish në të gjithë botën në vitet e mëparshme, duke përfshirë gati 20 vetë që vdiqën në Kinë në 2021-shin nga shtami H5N6.