Music

Shqiptarët ‘pushtojnë’ sërish festivalin Europian dhe një prej tyre është pretendent për fitore!

Pas anulimit për shkak të pandemisë vitin e kaluar të festivalit Europian, ky i fundit do të rikthehet live dhe të gjithë po e presim me padurim. Kjo sepse ka kaluar shumë kohë dhe evenimente të tilla na kanë munguar.

Ajo për të cilën jemi krenar është fakti që këtë edicion në “Eurovision” do të konkurrojnë 2 artistë shqiptarë shumë të talentuar. Bëhet fjalë për përfaqësuesen e Shqipërisë, Anxhela Peristeri me këngën “Karma” dhe Gjon’s Tears me “Tout l’univers” i cili përfaqëson shtetin ku jeton, Zvicrën.

Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët kanë pushtuar skenën e festivalit Europian pasi kujtojmë edicionin e vitit 2018 ku gjithashtu kishte 3 konkurrentë me origjinë nga vendi ynë. Në edicionin e 63-të të këtij festivali që u mbajt në Lisbon, Portugali, skenën madhështore të tij e prekën; Eugent Bushpepa me “Mall”, Eleni Foureira me “Fuego”, përfaqësuese e Qipros dhe Ermal Meta me “Non mi avete fatto niente”, përfaqësues i Italisë.

Sakaq, nga bastet e fundit të mbajtura online por edhe nga sondazhet e publikut, këtë vit një ndër pretendentët për fitore është Gjon’s Tears, këngëtari me zërin më të ëmbël të cilin e kemi patur të ftuar edhe në Top Albania Radio. Kënga e tij përfaqësuese, “Tout l’univers” ka rrëmbyer zemra e publikut. Deri tani, Gjon’s Tears ka fituar 57% të basteve online si fitues i edicionit të 65-të të festivalit Europian.

Rezultat e basteve online për fituesin e “Eurovision 2021”

Kompeticioni më i madh i muzikës në Europë do të mbahet në Roterdam, Hollandë me dy gjysmëfinale në datat 18 dhe 19 maj dhe finalja e madhe më 22 maj.