Aktualitet

Shqiptarët njohës të mirë të anglishtes/Lënë pas italianë, francezë e izraelitë!

Në një nga raportet më të rëndësishme në botë si Indeksi i Aftësisë në Anglisht (EF EPI) që mat zotërimin e gjuhës angleze dhe ku janë marrë në shqyrtim 116 vende, Shqipëria zë vendin e 43-të duke lënë pas vendet evropiane si Italia, Franca, Rusia, si dhe Izraeli, sipas https://www.ef.com/wwen/epi/.

Një ridimensionim i vazhdueshëm i zotërimit të anglishtes në të gjithë botën, ku aftësitë e burrave mbeten më të mira se ato të grave dhe anglishtja e profesionistëve të rinj mbetet më e lartë se ajo e studentëve dhe të rriturve mbi 40 vjeç, janë disa nga rezultatet që dalin nga edicioni i vitit 2024 i Indeksit të Aftësisë në Anglisht (EF EPI) i krijuar nga “EF Education First” (EF), raporti më i madh global mbi aftësitë në anglisht, i cili që nga viti 2011 ka fotografuar nivelet e vendeve, qyteteve dhe rajoneve.

Indeksi i 2024-ës u zhvillua bazuar në testet e 2,1 milionë të rriturve të moshës 18 vjeç e lart, të cilët nuk e kishin anglishten gjuhë amtare. Ky testim u bë në 116 vende.

Vendin e parë e mban Holanda me 636 pikë, e ndjekur nga Norvegjia (610) dhe Singapori (609).

Shqipëria ndodhet në vendin e 43-të, nga 116 vende, me 533 pikë dhe në nivele të qëndrueshme, krahasuar me vitet e mëparshme.

Rusia ndodhet në vendin e 44-t (532) dhe Franca në vendin e 49-të me 524 pikë.

Italia ndodhet në vendin e 46-të duke rënë në nivelet e vitit 2019.

Në Evropë, ajo kalohet nga Spanja (538), Ukraina (535), Shqipëria (533) dhe Rusia (532).

Ndërkohë, Kina dhe Japonia ndodhen respektivisht në vendet 91 (455) dhe 92 (454).