Zbulimi i një raporti të inteligjencës ushtarake angleze prej gazetarit Mark Hookham në “Mail on Sunday” e ku tregohet ana operacionale e disa grupeve kriminale shqiptare, që dërgojnë njerëz me gomone në Angli, po kthehet në një çështje dite diskutimi në qarqet politike të shtetit ishull.
Përmes një editoriali, Richard Tice udhëheqës i Partisë Reforma komenton investigimin e “Mail On Sunday” nga ku është zbuluar se 4 në 10 persona që mbërrijnë me gomone të Angli janë shqiptarë. Tice ngre shqetësimin se të rinjtë shqiptarë që vendosin jetën në rrezik duke hipur në gomone, kthehen në ushtarë të krimit të organizuar.
Nuk dua të keqkuptohem. Shqipëria nuk është vend luksi. Shumë jetojnë në varfëri dhe korrupsioni është i përhapur. Megjithatë është një vend, me një ekonomi në rritje të shpejtë. Shqiptarët të cilët marrin këtë udhëtim të gjatë në Europë drejt brigjeve franceze nuk janë të tillë me jetët e tyre në rrezik.
Në editorial, politikani anglez flet për numrin e madh të shqiptarëve të përfshirë në kriminalitet në Angli. Sipas tij, “ata që mbërrijnë me gomone kthehen në kontingjent të krimit të organizuar shqiptar”.
Ekziston mundësia që shumë prej atyre që mbërrijnë me gomone kthehen në ushtarë të grupeve kriminale, duke zëvendësuar ata që janë dënuar e janë pas hekurave. Sikurse ata mund të përdoren si skllevër modernë në tregun e zi të punës ku kanë pjesën e tyre gangsterët shqiptarë. Qeveria jonë detyrohet të na japë një përgjigje. Ka ardhur koha e të treguarit të së vërtetës nga qeveria angleze.