Me Lojërat Olimpike të Parisit, Shqipëria “ndahet” me dy medalje të bronzta. Ashtu si Chermen Valiev, edhe rusi i natyralizuar, Islam Dudaev siguroi Medalje Bronzi pasi mposhti 13-12 rivalin hungarez Iszmail Muszukajev, në kategorinë 65 kilogramë stil i lirë. Dudaev kaloi direkt në finale për medaljen e bronzit. Kjo u njoftua sot nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, KOKSH:
Mundësi i Shqipërisë siguroi finalen, pasi kundërshtari i tij, amerikani Zain Allen Retherford, nuk ka arritur dot peshën.
Dudaev garoi në orën 12:10 kundër hungarezit Iszmail Muszukajev për Medaljen e Bronzit, e dyta për vendin tonë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat mbyllen sot. Me flamurin e Shqipërisë, në atletikë, qitje, not dhe mundje garuan 8 sportistë, përfshirë atleten Luiza Gega, e cila nuk mundi të kualifikohej në baterinë e saj duke mbyllur shumë shpejt ëndrrën e Parisit.
Mundja solli rezultatet më të mira dhe Shqipëria numëron dy medalje bronzi në këtë sport. Të parën e mundësoi dje mundësi Chermen Valiev, duke u renditur i treti në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg. 25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin.
Drejtuesit më të lartë të vendit përshëndetën këtë zhvillim. Tashmë me Islam Dudaevin, Shqipëria krenohet me medaljen e dytë. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi Dudaevin. Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i shtetit shkruan për këtë fitore të rëndësishme:
Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike me një ndeshje fantastike. Faleminderit kampion!
Për medaljen reagoi dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj:
“HISTORIKE 🥉🇦🇱🦅
Edhe Islam Dudaev i bronztë!
Prapë medalje historike për Sport Klub Tiranën 🤍💙 dhe Shqipërinë në Lojërat Olimpike Paris 2024! 🇦🇱🇫🇷
Fantastikeeee! Forcaaaa! 💪🏻
Veliaj shtoi:
TUÇ
Sukseset kanë esencën e traditës – faleminderit kuksianit të palodhur Sahit Prizreni, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, për gjithë dedikimin dhe sakrificat për t’i sjellë Shqipërisë dhe mundjes suksese Historike!
Sot në ditën e fundit të Lojërave Olimpike që po zhvillohen në Paris prej 26 korrikut, bëhet e ditur se Kina kryeson tabelën e medaljeve të arta, e ndjekur në vendin e dytë në renditjen e përkohëshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, por me diferencë të dukshme në numrin e përgjithshëm të medaljeve të fituara, sipas olympics.com. E treta për medaljet e arit është Australia me 18 e po 18 ka edhe Japonia.
Deri tani, Amerika numëron 122 medalje në total nga të cilat 38 ari, 42 argjendi dhe po 42 bronzi. Kina ka grumbulluar 90 gjithsej: 39 ari, 27 argjendi e 24 bronzi. Sa i përket totalit, pas Kinës vjen Britania e Madhe me 63 e më tej Franca organizatore, me 62 medalje ari, argjendi e bronzi.