Shqipëria fitoi 0-1 në Tbilisi, duke marrë fitoren e dytë në Grupi 1 të Ligës B, në UEFA Nations League. Kuqezinjtë marrin 3 pikë falë golit të Kristian Asllanit, i cili shfrytëzoi asistin e debutuesit Tuci, për të shënuar në minutën e 48-të. Shqipëria ngjitet në kuotën e 6 pikëve, aq sa ka edhe Gjeorgjia dhe Çekia. Ndeshja u përcoll drejtpërdrejt në Digitalb.
Shqipëria kthehet pretendente për të fituar grupin në Ligën e Kombeve. Me ndryshime në emra, por edhe në lojë, skuadre e Silvinjos u duk e rreshtuar më mirë në fushë, duke u munduar më me qetësi të administronte lojën edhe pse vuajti presingun e vendasve.
Rastet nuk munguan nga të dy skuadrat, por ishte Shqipëria ajo e cila në krahasim me ndeshjen në Tiranë, gjeti goditjen e duhur nga jashtë zonës.
Asllani çoi topin në rrjetë dhe më pas gjithçka u përqendrua te administrimi i rezultatit, ndonëse Bajrami apo edhe Seferi në fund, kishin mundësi të thellonin diferencën. Në fund, vërshëllima e Makeli ktheu përsëri Shqipërinë në garë të plotë për një vend në Ligën A, në një grup ku gjithçka duket e mundur dhe tashmë edhe golavarazhi bëhet faktor.
Dy ndeshjet e fundit të grupit B1 në UEFA Nations League Shqipëria do t’i zhvillojë në shtëpi. Takimi i parë në muajin nëntor do të jetë ndaj Çekisë më datë 16 në orën 20:45, ndërsa ndeshja e fundit e grupit do të luhet më 19 nëntor ndaj Ukrainës po në orën 20:45