Aktualitet Bota

Shqipëria dënon sulmet e Iranit ndaj Izraelit!

Ministri për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për sulmin e mbrëmshëm të Iranit ndaj Izraelit. Në postimin e publikuar në X, Hasani thekson se Shqipëria e dënon këtë sulm jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe njerëzve që jetojnë atje.

“Shqipëria dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit dhe civilëve të tij. Kjo paraqet një përshkallëzim të konsiderueshëm, duke rritur kërcënimin ndaj sigurisë rajonale.

Shqipëria solidarizohet me popullin e Izraelit dhe të drejtën e tij për të jetuar në siguri. Ne ripërsërisim thirrjen tonë për de-përshkallëzimin e menjëhershëm”, shkruan në X Hasani.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit dështoi dhe u zotua për hakmarrje.

Luftimet e 24 orëve të fundit në shkallë të gjerë (1-2 Tetor) kanë shkaktuar mbi 70 të vdekur në Liban, Gaza dhe Izrael. Ky i fundit u godit nga dy sulme terroriste në Jaffa dhe Tel Aviv, ku mbetën të paktën 8 të vrarë. Po kështu 55 viktima dhe 156 të plagosur u raportuan nga fronti i luftës në Liban.

Irani pretendon se e ka përfunduar sulmin e tij kundër Izraelit, pas lëshimit të rreth dyqind raketave mbrëmjen e djeshme, shkruan “La Repubblica”.

Por një kërcënim tjetër vjen nga Teherani:

“Gati për një përgjigje më të fuqishme në rast hakmarrjeje, do ju kthejmë në hi”.
Një shkollë në Gaza u godit gjithashtu:

“Ishte një bazë e Hamasit”, njoftoi IDF.

U raportua për të paktën 9 të vdekur. Mes viktimave nga sulmet, sipas mediave palestineze, mbetën edhe 4 anëtarë të familjes së gazetarit Ahmed al-Zard, teksa dhe ky i fundit mbeti i plagosur rëndë. Po kështu pati dhe 20 të plagosur.

Ndërkohë, nga Izraeli vazhdojnë inkursionet tokësore drejt Libanit jugor. IDF u shpreh se avionët e tij luftarakë do të vazhdojnë të godasin “me forcë” në orët e ardhshme “në Lindjen e Mesme”.

“Forca Ajrore vazhdon të operojë me kapacitet të plotë dhe sonte ne do të vazhdojmë të godasim me forcë në Lindjen e Mesme siç kemi bërë për një vit”, tha kundëradmirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, në një deklaratë pasi Irani sulmoi Izraelin.
Tel Avivi konfirmoi se Irani lëshoi mbrëmë (1 Tetor) 200 raketë në drejtim të tyre.

Në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në të gjithë Libanin janë vrarë 55 persona dhe janë plagosur 156. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Bejrutit, e cituar nga mediat.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi me raketa ndaj Izraelit ishte në përgjigje të vrasjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, javën e kaluar, si dhe të liderit të Hamasit, ndërsa kërcënoi se do të kryente “sulme shkatërruese” nëse Izraeli do të përgjigjej. Irani ka kërcënuar se nëse Izraeli do vijojë luftimet, “do e kthejnë në hi”.

Edhe mëngjesin e sotëm, Izraeli u zgjua nën alarmin e sirenave për bombardime dhe IDF konfirmoi se në shumë zona veriore të vendit u dha ky alarm.

Ndërkohë ministri i jashtëm izraelit Israel Katz shpalli ‘person non grata’ Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke i ndaluar kështu hyrjen e tij në vend.