Sport

Shqipëri-Ukrainë, kuqezinjtë në kërkim të fitores së parë në shtëpi!

Sonte Shqipëria përmbyll rrugëtimin në Grupin B-1 të Ligës së Kombeve. Trajneri Sylvinho tha se kuqezinjtë janë përgatitur për ta fituar ndeshjen me Ukrainën. Sipas tij, kemi shanse për të qenë të parët në grup e do të japim maksimumin.  Shqipëri-Ukrainë luhet më 20:45 në Air Albania e transmetohet live në Digitalb.

Shqipëri-Ukrainë do të jetë sfida e fundit e grupit B1, të Ligës së Kombeve, këtij kompeticioni që tashmë mund të shërbejë si dritare për të shkuar edhe në Kupën e Botës 2026, në rast se diçka e tillë nuk ndodh nëpërmjet fushatës kualifikuese që nis vitin e ardhshëm.

Rezultati i sfidës së sotme do të vendosë fatin e Kombëtares, të cilës i duhet fitorja dhe një barazim mes Çekisë e Gjeorgjisë për të marrë kreun e grupit. Por statistikat e sfidave të mëparshme me Ukrainën flasin për një dominim të këtyre të fundit.

Janë shtatë ndeshje të zhvilluara mes dy skuadrave. Katër sfida të vlefshme për kualifikueset e kupave të botës, dy takime miqësore dhe një sfidë e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Shqipëria arriti në Pragë ndaj Ukrainës fitoren e vetme ndaj kësaj përfaqësueseje në sfidat e mëparshme, duke e mposhtur 1-2 në ndeshjen e parë në rupin B1, teksa regjistron plotë pesë humbje dhe vetëm një barazim 2-2, në vitin 2005, në fushatën kualifikuese për Botërorin e Gjermanisë 2006.

Sfida e parafundit e zhvilluar mes dy kombëtareve, ka qenë miqësorja e vitit 2018, kohë kur Ukraina fitoi thellë ndaj kuqezinjve tanë me rezultatin 4-1. Ndërkaq, 14 gola kanë shënuar ukrainasit në portën tonë, ndërkohë kuqezinjtë ia kanë dalë të gjejnë rrugën e rrjetës vetëm gjashtë herë.

Ndeshja e sotme do të jetë një shans i madh për Kombëtaren tonë për të përmirësuar statistikat ndaj Ukrainës, si dhe për të marrë kreun e grupit B1.