Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nënshkruan në Tiranë deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik, përmes krijimit të një Këshilli bashkëpunimi të një niveli të lartë. Më pas ministrat e dy vendeve, firmosën tre marrëveshje bashkëpunimi.
Një ndër marrëveshjet e nënshkruara mes Turqisë dhe Shqipërisë është deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë, e cila u firmos nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ibrahim Yumakli, ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Marrëveshja tjetër e firmosur është protokolli ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri. Kjo marrëveshje u firmos nga për palën shqiptare nga Ogerta Manastirliu, ministër i Arsimit dhe Sportit dhe për palën turke nga Erol Ozvar, President i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë e Republikës së Turqisë.
Po ashtu, mes dy vendeve u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin. Për palën shqiptare memorandumi u firmos Alteo Hysi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim dhe për palën turke Fahrettin Altun, Drejtor i Komunikimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë.
Pas siglimit të marrëveshjeve, Erdogan theksoi synimin që vëllimi tregtar mes dy vendeve të rritet në 2 miliardë dollarë, si dhe premtoi mbështetje për Forcat e Armatosura në trajnime e pajisje ushtarake.
Ne do të ofrojmë mbështetjen për të përmirësuar nevojat e FA, për partnerin tonë strategjik dhe aleatin tonë të NATO-s në fushën e trajnimeve ushtarake dhe pajisjeve ushtarake.
Gjatë deklaratës për shtyp me kryeministrin Rama, presidenti turk tha se shpreson që me Shqipërinë, të vazhdojnë luftën kundër organizatave terroriste, ndaj FETO-s.
Diskutuam edhe çështjen e luftës kundër organizatave terroriste, kundër FETO-s, me mikun tim të dashur Ramën. Shpresoj që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroristeve përmes vendimeve që kemi marrë sot.
Teksa pasdite pritet inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, Erdogan iu referua si “dhuratë e popullit turk”. Po ashtu, foli për luftën në Gaza.
Mizoritë izraelite në territoret palestineze ishin ndër pikat prioritare të agjendës sonë. Unë ndava pikëpamjet tona për agresionin e Netanyahut. Gjenocidi në Gazë është turpi ynë i përbashkët, i të gjithë njerëzimit. Si ndërkombëtarë, ne duhet të bëjmë çmos të sigurojmë armëpushim të përhershëm e të bëjmë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Shpresoj që Shqipëria të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.
Por, ndërsa Erdogani dënoi Izraelin, Rama tha se “jemi kundër Hamasit”.
“Turqia do t’i dhurojë Shqipërisë dronë kamikazë”. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Rama në konferencën për shtyp me presidentin turk Erdogan.
E çmoj dhuratën e presidentit Erdogan në këto kohë të trazuara ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë, një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Dhuratë që s’duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria. Por, besoj se është një dhuratë që përmbledh brenda një mesazh të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.