Aktualitet Sport

Shqipëri rekordesh, dy vjet pa pësuar gol në shtëpi në ndeshjet zyrtare!

Fitorja në debutim në Nations League kundër Ukrainës ka rritur entuziazmin rreth Kombëtares. Suksesi përballë një kundërshtari shumë të vështirë dhe që shihej si pretendent për ta fituar grupin B1 i dha një shtysë të rëndësishme edicionit të Shqipërisë.

Tashmë radhën e ka sfida me Gjeorgjinë, me kuqezinjtë që nisen në pozita të mira. Fakti që ndeshja luhet në Arenën Kombëtare të mbushur me kapacitet të plotë duhet të shërbejë si shtysë për të marrë një tjetër fitore.

Po kaq i rëndësishëm është fakti se impianti në Tiranë është kthyer në fortesën e Kombëtares. Në ndeshjet zyrtare, Shqipëria nuk pëson gol në shtëpi prej dy vjetëve. Kualifikueset e Euro 2024 u mbyllën me tre fitore në shtëpi, 7 gola të shënuar dhe 0 të pësuar.

Hera e fundit që Kombëtarja ka pësuar gol në fushën e saj ishte në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Islandës, më 27 nëntor 2022. Ajo përballje përfundoi në barazim 1-1, me kuqezinjtë që e mbyllën grupin në vendin e tretë, duke përfituar edhe nga përjashtimi i Rusisë prej luftës në Ukrainë.

Me ecurinë e këtyre dy vjetëve të fundit, Arena Kombëtare është kthyer në ferrin e skuadrave kundërshtare. Atmosfera pritet të jetë po kaq e zjarrtë edhe për duelin e kësaj të marte në orën 20:45, ku të gjitha biletat janë shitur, por interesi për një vend në stadium është tejet i lartë.