Bota

Shqetësimi për shëndetin mendor të Biden-it, rënie në sondazhe!

Në Shtetet e Bashkuara, një sondazh i ri sugjeron se disa votues demokratë janë gjithnjë e më të shqetësuar nëse Joe Biden është i aftë mendërisht për të shërbyer si president. Anketa nga CBS News dhe kompania e të dhënave, YouGov, u bë pas debatit mes Bidenit dhe rivalit republikan, Donald Trump, javën e kaluar.

72% e votuesve të regjistruar besojnë se Biden nuk ka shëndet mendor për të shërbyer edhe një mandat. Shifra paraqet rritje në krahasim me 65% të të anketuarve që thanë të njëjtën gjë në një sondazh të mëparshëm. Po ashtu, sondazhi i fundit tregon se 49% e votuesve thanë se Trump nuk gëzon shëndet mendor për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Ka edhe shqetësime për moshën e kandidatëve. Biden është 81 vjeç dhe Trump 78. Këto shqetësime kanë ekzistuar edhe para debatit të 27 qershorit. Por, zëri i ngjirur dhe përgjigjet e ngatërruara të Biden-it i kanë rritur shqetësimet në mesin e demokratëve në lidhje me kandidaturën e tij. Disa kanë bërë thirrje të hapura për tërheqjen e kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Vetë Biden ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë gjatë debatit me Trump-in, por ka thënë se rizgjedhja e tij “do ta shkatërronte demokracinë”. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump. Hezitimi i shfaqur gjatë debatit, si dhe komentet e zbehta, në veçanti në fillim të tij, nxitën shqetësime edhe në mesin e anëtarëve të Partisë Demokrate se 81-vjeçari nuk është i gatshëm të udhëheqë vendin edhe për katër vjet të tjera.

Pas debatit u krijua një moment krize në fushatën e Bidenit dhe në presidencën e tij, teksa anëtarët e Partisë Demokrate filluan të mendonin për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm për Biden-in. Kjo në kohën kur donatorët dhe mbështetësit që ka, po ashtu shprehën shqetësim lidhur me përballjen e tij kundrejt Trump-it.

Biden duket se i pranoi kritikat gjatë një tubimi të premten në Karolinën e Veriut, duke thënë:

Unë nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur. Por, e di këtë punë dhe e di si bëhen gjërat.

Gjatë një fjalimi 18 minutësh, Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen e ndëshkimin”.

Zgjedhja në këto votime është e thjeshtë. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj.