Bota

Shqetësimet mbi rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Hezbollah!

Ministria e Jashtme izraelite tha se Izraeli do t’i përgjigjej “masakrës” së të rinjve dhe fëmijëve në Druze pranë kufirit libanez, duke fajësuar Teheranin për sulmin, si dhe paralajmëroi për një “shans të fundit” për zgjidhje diplomatike me Hezbollahun. Të paktën 12 persona u vranë në sulmin me raketa që goditi një fushë futbolli në qytetin Majdal Shams në Lartësitë Golan, të pushtuara nga Izraeli. Majdal Shams është i banuar kryesisht nga druzët, komunitet fetar arabishtfolës.

Izraeli fajëson Hezbollahun për sulmin dhe u zotua të hakmerret, ndërsa milicia shiite ka mohuar të ketë pasur ndonjë lidhje. Shefi i shtabit të Izraelit, Herzi Halevi pati deklaruar se goditja ishte shkaktuar nga një raketë iraniane e pajisur me kokë lufte, me peshë 53 kilogramë. Përfaqësuesit e OKB-së u kanë bërë thirrje të dyja palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale. Kjo pas shqetësimeve në rritje se sulmi mund të nxisë një luftë të gjithanshme në rajon.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy dënoi sulmin, por shtoi se Londra ishte “thellësisht e shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit dhe destabilizimit të mëtejshëm”. Shtëpia e Bardhë fajësoi Hezbollahun për lëshimin e raketave “të tmerrshme” ndaj Izraelit, por gjithashtu tha se po kërkonte një “zgjidhje diplomatike” për krizën.

Mbështetja jonë për sigurinë e Izraelit është e hekurt dhe e palëkundur kundër të gjitha kërcënimeve të mbështetura nga Irani, përfshirë Hezbollahun, thuhet në një deklaratë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden.

Ministria e Jashtme izraelite u zotua t’i përgjigjet “masakrës” së të rinjve dhe fëmijëve në një fshat në Druze, duke fajësuar Teheranin për sulmin.

Raketa që vrau djemtë dhe vajzat tona ishte një raketë iraniane dhe Hezbollahu është e vetmja organizatë terroriste që i ka ato në arsenalin e saj. Izraeli do të ushtrojë të drejtën dhe detyrën për të vepruar në vetëmbrojtje e do t’i përgjigjet masakrës… Bota tani duhet të vendosë përgjegjësinë e plotë mbi Iranin dhe përfaqësuesit e tij terroristë: Hezbollahun, Hamasin e Houthis.

E vetmja mënyrë që bota mund të parandalojë një luftë në shkallë të plotë, e cila do të ishte shkatërruese edhe për Libanin, është duke e detyruar Hezbollahun të zbatojë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit.

Kjo rezolutë i bën thirrje Hezbollahut të tërhiqet përtej lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri midis Izraelit dhe Libanit.

Tani është momenti i fundit për ta bërë këtë në mënyrë diplomatike.

Ministri i Jashtëm libanez, Abdallah Bou Habib tha se ai nuk beson se Hezbollahu ka kryer qëllimisht një sulm ndaj Majdal Shams e sugjeroi se të tjerë mund të jenë gjithashtu fajtorë. Ai vuri në dukje se sulmi mund të ishte kryer nga organizata të tjera ose një “gabim izraelit ose një gabim i Hezbollahut.

Më tej, paralajmëroi se një sulm i madh izraelit në Liban mund të shkaktojë një luftë rajonale. Uashingtoni dhe ekspertë të pavarur kanë thënë se nuk ka gjasa që raketa që ra në Majdal Shams të ketë ardhur nga sistemi antiraketor izraelit.