Kur na ndajnë pak orë nga finalja e “Eurovision 2021” në Rotterdam të Holandës, përfaqësuesja shqiptare, Anxhela Peristeri ka rrëfyer emocionet e performancës së sotme. Duke shprehur lumturinë pas kualifikimit të Shqipërisë në Finale, Peristeri i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të diasporës që ta mbështesin atë.
“Emocionet gjithnjë janë në rritje kur afrohet ora e performimit, jam shumë e lumtur që arritëm në finale dhe do e përfaqësojmë gjithë shqiptarët anembanë dhe muzikën shqiptare. Jam shumë falënderues për votat e shqiptarëve në diasporë në natën e gjysmëfinales, sonte gjithashtu dhe një herë pres mbështetjen e tyre për ta ngjitur sa më lart Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këtë edicion. Sonte, performoj me numrin 02, dhe shpresoj të marr mbështetjen e gjithë shqiptarëve dhe një herë”, ka thënë Anxhela Peristeri.
Artistja do të këndojë e dyta në këtë natë finale, ku në total do të performojnë këngëtarë të 26 shteteve.
Në natën gjysmë finale Peristeri shkëlqeu me performancën dhe pamjen e saj, duke marrë komente nga më pozitivet.