Bota Botë e Çuditshme

Shpëtojnë emigrantët përmes një grupi në WhatsApp, ju njohim me murgeshat heroina!

Daniela, Ruffina, Angela dhe Antonietta kanë formuar të ashtuquajturin “Gruppo del Molo”. Një rrip betoni rreth 150 metra i gjatë në Lampeduza është vendi ku qëndrojnë më së shumti murgeshat. Në realitet është një pikë zbarkimi për mijëra emigrantë që vijnë nga rruga e Mesdheut Qendror, që njihet mjerisht si vendi i dhjetëra e dhjetëra emigrantëve që nuk ia dalin dot mbanë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, pothuajse 500 persona kanë vdekur që nga fillimi i vitit. Motra Danila vjen nga Kroacia, motra Ruffina është indiane, motra Angela nga Kalabria dhe Motra Antonietta, koordinatorja e tyre që vjen nga Roma. Ato i përkasin katër kongregacioneve të ndryshme fetare.

Dita e tyre fillon duke u informuar nga Roja Bregdetare që i njofton në një grup që ata kanë në WhatsApp për njerëz që mund të jenë duke ardhur. Ato u shprehën se:

Marrim ëmbëlsirat, ujë, çaj të nxehtë ose të ftohtë, ushqime, xhaketa të pastra dhe të thata dhe vrapojmë. Sot, për shembull, thirrja erdhi në orën 13:00 ndërsa ne ishim duke ngrënë drekë. E lamë ushqimin në pjatat tona dhe nxituam. Ishin 47 emigrantë që zbarkuan, të gjithë të rinj nga Bangladeshi. Përveç veshjeve dhe ushqimeve ajo që duam t’u japim është pak humanizëm për njerëzit që vijnë të ftohur, me rroba të lagura në ujë deti dhe naftë, me sy të skuqur dhe me djegie të thella kimike në trup. Shumë emigrantë nuk dinë të notojnë, madje nuk e kishin parë kurrë detin përpara. Ne buzëqeshim dhe u japim një karamele, buzëqeshja na kthehet dhe ata thonë faleminderit. Shpeshherë ndeshemi edhe me skena rrëqethëse, nëna që deti iu ka përpirë fëmijët.