Aktualitet

Shpëtoi të tjerët por jo veten, gjendet i pajetë Arjan Sala

Fatkeqësisht është gjetur i pajetë trupi i Arjan Salës. I riu, punonjës i shërbimit të sigurisë, mbeti i bllokuar te magazinat e qendrës tregtare te zona e Mbikalimit te Kthesa e Kamzës, që u përfshinë nga flakët 4 ditë më parë. 32 vjeçari hyri në brendësi të flakëve duke ndihmuar të dilnin rreth 20 persona të tjerë që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, duke mos mundur t’ia dalë mbanë për të shpëtuar jetën e tij. Trupi i pajetë i të riut u identifikua nga xhaxhai i tij.

Sipas policisë te godina ku ranë flakët, si rezultat i kërkimeve intensive, të pandëprera, nga zjarrfiksit dhe shërbimet e Policisë, vetëm mëngjesin e sotëm u bë i mundur gjetja e trupit të pajetë i Arjan Salës që tashmë ndodhet në morg. 32-vjeçari ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja e rëndë erdhi si pasojë e zjarrit që përfshiu pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 një magazinë te Casa Italia. Referuar dëshmisë së familjarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë. Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, e të Kamzës si edhe Forca të Ushtrisë. Gjithashtu u angazhuan edhe strukturat e operacioneve të kërkim-shpëtimit të minierave.

Më herët, teksa ndiqnin operacionn nga afër, familjarët e të riut, ngritën akuza në drejtim të Zjarrfikësve për mbërritje me vonesë dhe për mungesë të pajisjeve të nevojshme për t’u ardhur në ndihmë djalit të tyre.