Bota

Shpërthimi i minierës së qymyrit në Iran, rëndohet bilanci i viktimave!

Të paktën 51 persona kanë gjetur vdekjen dhe 20 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në një minierë qymyri në lindje të Iranit, siç raportojnë mediat iraniane. Më herët, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se një rrjedhje metani shkaktoi shpërthimin e mbrëmjes së djeshme në minierën e Tabasit, rreth 540 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Teheran.  Mbi 70 vetë ishin duke punuar në momentet kur ndodhi shpërthimi.

Kur sapo u dha njoftimi lidhur me ngjarjen tragjike në minierë, presidenti i ri reformator i Republikës Islamike, Masud Pezeshkian, i cili po përgatitej të udhëtonte për në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se ka urdhëruar që të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar të bllokuarit, si dhe për të ndihmuar familjet e tyre. Gjithashtu, Pezeshkian njoftoi se ka nisur një hetim për shpërthimin.

Prokurori i ngarkuar me hetimet, Ali Nesaei, i cituar nga agjencia iraniane IRNA, tha se “akumulimi i gazit në minierë” e bënte të vështirë operacionin e kërkimit e të shpëtimit. Më herët, shprehej:

Aktualisht, prioriteti është të ofrojmë ndihmë për të plagosurit dhe të nxjerrim njerëzit nga rrënojat.

Nesaei vuri në dukje se “neglizhenca dhe përgjegjësia e personave përkatës do të trajtohen më vonë”.

Republika Islamike nuk është vetëm një vend prodhues nafte, por gjithashtu e pasur me një sërë mineralesh. Irani konsumon rreth 3.5 milion ton qymyr në vit, por nxjerr vetëm rreth 1.8 milion ton nga minierat e tij. Pjesa tjetër importohet, shpesh për t’u përdorur në uzinat e çelikut të vendit.

Kjo nuk është fatkeqësia e parë që godet industrinë minerare të Iranit. Vitin e kaluar, një shpërthim në një minierë qymyri në qytetin verior Damghan vrau gjashtë persona, po si një pasojë e mundshme e një rrjedhjeje metani, referuar informacioneve të mediave vendase.

Në vitin 2013, 11 punonjës të nëntokës humbën jetën në dy raste aksidentesh në miniera. Më herët, në vitin 2009, 20 persona u vranë në disa shpërthime të ngjashme. Në vitin 2017, një shpërthim në një minierë qymyri vrau të paktën 42 vetë. Standardet e dobëta të sigurisë, bashkë me shërbimet e pamjaftueshme të emergjencave në zonat minerare, shpesh fajësohen për viktimat.