Bota

Shpërthimet me viktima e mijëra të plagosur në Liban, Hezbollahu: Izraelin e pret ndëshkimi i merituar!

Shpërthime në pajisjet e komunikimit, qindra anëtarë të Hezbollahut libanez të plagosur në periferinë jugore të Bejrutit nga një sulm i hakerëve izraelitë. Të shënjestruarve, luftëtarë të grupit pro-iranian iu shkoi një mesazh para shpërthimit. Deri tani raportohen 18 viktima e mijëra të lënduar, mes tyre edhe civilë. Në Bejrut e të tjera qytete të Libanit, autoritetet po apelojnë për të dhuruar gjak.

Grupi Hezbollah fajësoi Izraelin dhe u zotua të hakmerret. Në deklaratën më të fundit, theksoi se do të vazhdojë “operacionet në mbështetje të palestinezëve në Gaza”. Në një deklaratë të publikuar sot thuhet se “armikun e pret një çmim i rëndë në përgjigje të masakrës së djeshme”.

Pajisjet e komunikimit që njihen si “pagers” e të përdorura nga qindra anëtarë të grupit militant Hezbollah, një ditë më parë shpërthyen pothuajse njëkohësisht në Liban dhe Siri. Pa humbur kohë, si Hezbollahu ashtu dhe qeveria libaneze fajësuan shtetin hebraik për sulmin e sofistikuar e nga distanca. Mes të plagosurve është dhe ambasadori i Iranit në Liban.

“Pager” është një pajisje e vogël komunikimi, ndryshe nga telefoni celular, që përdoret për dërgimin e mesazheve e sinjaleve po ashtu. “Shpërthimet misterioze” ndodhën në kulmin e tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Hezbollahu ka një bazë të rëndësishme në Liban dhe ka shkëmbyer zjarr me Izraelin që nga sulmi i Hamasit i 7 tetorit në territorin izraelit e që shkaktoi luftën në Gazë.

Pajisjet “Pagers” ishin blerë nga Hezbollahu pasi udhëheqësi i grupit militant i urdhëroi anëtarët në muajin shkurt që të ndalonin përdorimin e telefonave celularëve duke paralajmëruar se mund të gjurmoheshin nga organet izraelite të zbulimit.

Një zyrtar i Hezbollahut i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se mjetet e komunikimit “Pagers” janë një markë e re, por ai nuk pranoi të tregonte se për sa kohë po i përdorin.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin dijeni paraprake për shpërthimet” e konfirmoi se nuk ishin të përfshira.

Aktualisht po mbledhim informacione.

Ekspertët thonë se shpërthimet e “Pagers”-ave tregojnë për një operacion të planifikuar prej kohësh, ndoshta i kryer përmes infiltrimit në zinxhirin e furnizimit dhe duke i manipuluar pajisjet me lëndë shpërthyese, para se të dërgoheshin në Liban.