Bota

Shpërthim në një minierë qymyri në Iran, të paktën 30 viktima!

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një minierë qymyri në pjesën lindore të Iranit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Televizioni shtetëror iranian raportoi se shpërthimi në minierën në Tabas, rreth 540 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran, u shkaktua nga një rrjedhje metani. Disa minatorë dyshohet se janë të bllokuar në brendësi të nëntokës.

Presidenti i ri reformator i Iranit, Masud Pezeshkian, i cili po përgatitej të udhëtonte për në Nju Jork për t’iu bashkuar punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB tha se ka urdhëruar që të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar të bllokuarit, si dhe për të ndihmuar familjet e tyre. Po ashtu, kreu i shtetit njoftoi edhe se ka nisur një hetim në lidhje me ngjarjen.

Prokurori i çështjes, Ali Nesaei, i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA, u shpreh se “akumulimi i gazit në minierë” e ka bërë të vështirë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Aktualisht, prioriteti ynë është që të mund të ofrojmë ndihmë për të plagosurit, si dhe të nxjerrim njerëzit nga rrënojat, deklaroi Nesaei.

Më tej, vuri në dukje se “neglizhenca dhe përgjegjësia e autoriteteve përkatëse do të trajtohen” më vonë.

Republika Islamike nuk është vetëm një vend prodhues nafte, por gjithashtu e pasur me një sërë mineralesh. Irani konsumon rreth 3.5 milion ton qymyr në vit, por nxjerr vetëm rreth 1.8 milion ton nga minierat e tij. Pjesa tjetër importohet, shpesh për t’u përdorur në uzinat e çelikut të vendit.

Kjo nuk është fatkeqësia e parë që godet industrinë minerare të Iranit. Vitin e kaluar, një shpërthim në një minierë qymyri në qytetin verior Damghan vrau gjashtë persona, po si një pasojë e mundshme e një rrjedhjeje metani, referuar informacioneve të mediave vendase.

Në vitin 2013, 11 punonjës të nëntokës humbën jetën në dy raste aksidentesh në miniera. Më herët, në vitin 2009, 20 persona u vranë në disa shpërthime të ngjashme. Në vitin 2017, një shpërthim në një minierë qymyri vrau të paktën 42 vetë. Standardet e dobëta të sigurisë dhe shërbimet e pamjaftueshme emergjente në zonat minerare, shpesh fajësohen për viktimat.