Bota

Shpërthim në Dagestan, 12 viktima!

Të paktën 12 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi dhe një zjarri pasues në një pikë karburanti në rajonin e Dagestanit në Rusi, siç dhe njoftuan sot autoritetet ruse. Ministria e Emergjencave e Rusisë bëri të ditur se 11 të tjerë janë lënduar.

Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, informoi zëvendësministri rus i Shëndetësisë, Aleksei Kuznetsov, për mediat ruse. Zjarri u shua më vonë.

Shpërthimi ndodhi në një pikë karburanti në periferi të kryeqytetit rajonal, Makaçkala, në afërsi të fshatit Novi Kushet, referuar burimeve nga Ministria e Emergjencave. Makaçkala ndodhet rreth 1.600 kilometra në jug të Moskës. Informacione zyrtare konfirmuan se pika e karburantit është shkatërruar plotësisht.

Pika e karburantit dhe mensa po digjen në një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë. Dy makina dhe një kamion janë dëmtuar, u tha në njoftimin e bërë në Telegram.

Sipas furnizuesit lokal të energjisë, Dagenergo, objektet e energjisë në zonën e shpërthimit janë dëmtuar dhe furnizimi me energji është ndërprerë në zonat përreth për arsye sigurie. Referuar të dhënave nga shërbimet e emergjencës e të cituara nga agjencitë e lajmeve ruse është duke u bërë pastrimi i rrënojave në vendngjarje e mund të ketë njerëz të mbetur nën gërmadha.

Departamenti i Komitetit Hetimor të Dagestanit hapi një hetim për neglizhencë dhe mënyrën se si janë respektuar rregullat e sigurisë në pikën e karburantit. Autoritetet e shpallën të sotmen ditë zie, në nderim të viktimave të shpërthimit. Lajmin e raportoi shërbimi për shtyp i Dagestanit.

Agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar prokurorinë e Dagestanit, tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 lokale, të datës 27 shtator. Kanali Telegram Shot raportoi se kishte dy shpërthime.

Në gusht të vitit të kaluar, një shpërthim i madh në një pikë karburanti vrau 35 persona dhe plagosi 113 të tjerë.