Rajoni

Shpërthim i virusit të Nilit Perëndimor në Greqi, 2 viktima!

Një shpërthim i virusit të Nilit Perëndimor është konfirmuar në Greqi, në Thesproti, ku autoritetet parashikojnë evidentimin e rasteve të tjera në ditët në vijim. Siç transmeton ERT, në javën e fundit janë shënuar dy vdekje në shtetin helen, ndërsa janë deklaruar 24 raste të reja, sipas raportit epidemiologjik të EODY.

Janë regjistruar edhe tre raste të importuara të infeksionit në pacientë të ekspozuar në Shqipëri. Mbikqyrja epidemiologjike e sëmundjes, zbatimi në kohë i programeve të duhura të integruara të kontrollit të mushkonjave dhe miratimi i masave mbrojtëse personale kundër mushkonjave janë masat më të përshtatshme për kontrollin e sëmundjes.

Numri i personave të infektuar me Ethet e Nilit Perëndimor të konfirmuar në laboratorin e ISHP në vendin tonë, ka mbërritur në 58, ndërkohë që situata po mbahet në monitorim nga Instituti i Shëndetit publik, ku mbërrijnë çdo ditë teste të marra nga pacientët e dyshuar si të infektuar nëpër rrethe, për shkak të simptomave që shfaqin.

Burime të Top Channel nga shërbimi infektiv ku tre javë më parë pati shtim të rasteve me encefalite dhe meningite, thonë që ka një rënie të numrit  të pacientëve me këtë problematikë.  Kurbini, Fieri dhe Lushnja  janë rrethe ku ka pasur më  shumë raste të infektuar me Ethet e Nilit, por në këtë zona tanimë është bërë dezinsektimi për të luftuar mushkonjat që transmetojnë sëmundjen e Etheve të Nilit nga zogjtë e infektuar tek njeriu.