Të paktën 24 njerëz u vranë dhe më shumë se 40 të tjerë mbetën të plagosur sot nga shpërthimi i një bombe në një stacion treni në jugperëndim të Pakistanit, siç njoftuan policia dhe zyrtarët. Pakistani po përballet me një rritje të sulmeve nga militantët etnikë separatistë në provincën Baluçistan në jug e me goditje nga ata islamikë në veriperëndim.
Inspektori i përgjithshëm i Policisë në Baluçistan, Mouzzam Jah Ansari, bëri të ditur se 24 vetë humbën jetën si pasojë e shpërthimit në stacionin hekurudhor, që zakonisht ka shumë lëvizje në orët e para të ditës.
Në shënjestër të sulmit ishte personeli i ushtrisë nga Shkolla e Këmbësorisë. Shumica e personave të plagosur janë në gjendje të rëndë.
Ushtria Çlirimtare e Baluçistanit (BLA), një grup militant separatist, mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë dërguar agjencisë së lajmeve Reuters. BLA-ja kërkon pavarësinë e Baluçistanit, një provincë me rreth 15 milion banorë që kufizohet me Afganistanin në veri dhe me Iranin në perëndim.
Po ashtu, BLA-ja është grupi më i madh ndër disa grupime kryengritëse etnike që luftojnë kundër qeverisë, duke e akuzuar se padrejtësisht i shfrytëzon kësaj province burimet e pasura të gazit e mineralet. Drejtuesi i lartë i operacioneve policore, Muhammad Baloch, vuri në dukje se shpërthimi duket të me bombë vetëvrasëse por hetimet vazhdojnë për të mësuar më shumë.
Shpërthimi ndodhi brenda stacionit, në momentin kur një tren i shpejtësisë së lartë ishte gati për t’u nisur drejt Peshavarinit.
Në muajin gusht, të paktën 73 njerëz u vranë në provincën Baluçistan, pasi militantët separatistë sulmuan stacione policore, linja hekurudhore dhe autostrada. Sulmet e gushtit ishin më të përhapurat ndër vite nga militantët që luftojnë në një kryengritje prej dekadash me qëllim shkëputjen e provincës jugperëndimore të pasur me burime. Kjo provincë është vendi i projekteve të mëdha të udhëhequra nga Kina, si një port dhe një minierë ari e bakri.