Një vullkan në gadishullin e Rekjanes në jugperëndim të Islandës shpërtheu për të shtatën herë prej dhjetorit të vitit të kaluar, duke lëshuar lavë. Shpërthimi nisi mes disa paralajmërimeve rreth mesnate e krijoi një çarje rreth 3 kilometra të gjatë por më të vogël se në gusht kur ishte edhe shpërthimi më i fundit, siç konfirmoi Zyra Meteorologjike e Islandës.
Ky është pak më i vogël se shpërthimi i kaluar dhe ai që ndodhi në maj, konfirmoi Magnus Tumi Gudmundsson, profesor i gjeofizikës, i cili e vëzhgoi nga ajri shpërthimin e këtij vullkani.
Ndërkaq, nuk përbën rrezik për transportin ajror. Autoritetet kanë paralajmëruar për emetime të gazrave përgjatë pjesëve të gadishullit, edhe në afërsi të qytezës Grindavik. Shpërthimet e vazhdueshme vullkanike pranë Grindavikut, që ka 3.800 banorë e ndodhet rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Reikjavik kanë shkaktuar dëme ndaj infrastrukturës e pronës, si dhe i kanë detyruar shumë prej banorëve të zhvendosen për sigurinë e tyre.
Grindaviku nuk është në rrezik, sepse nuk duket se kjo çarje do të zgjerohet, edhe pse gjithçka mund të ndodhë, tha Magnus Tumi.
Banorët e rreth 50 shtëpive u evakuuan menjëherë, pasi agjencia për mbrojtje civile dha alarmin, siç raportoi televizioni shtetëror RUV.
Shpërthimet e fundit vullkanike të Islandës mund të zgjasin për dekada apo edhe shekuj, sipas një studimi të botuar në revistën Terra Nova. Një pjesë e madhe e popullsisë së ishullit të Atlantikut të Veriut jeton në rajonin e prekur. Gjithashtu, ekziston i vetmi aeroport ndërkombëtar dhe disa termocentrale gjeotermale që furnizojnë vendin me ujë të ngrohtë dhe energji elektrike.
Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër apo pesë vjet mesatarisht. Më 2010-ën u regjistrua ai i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore në Europë.