Një vatër e gripit të shpendëve ka shpërthyer në Mëzez të Tiranës, në një fermë familjare.
Gjatë ditës së sotme është kryer kontrolli në vatrën ku ka shpërthyer gripi i shpendëve, për të marrë masat e duhura.
Ndërkohe që po kryhet kontroll edhe në familjet e tjera përreth, për të konfirmuar nëse ka raste të tjera.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) për një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar, ngriti Qendrën Kombëtare të Krizës, e cila sot mbajti takimin e saj të parë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit nr 885, 30.10.2024.
Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren, mëngjesin e ditës së sotme, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në Fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar. Shërbimi Veterinerar mbikqyri dhe monitoroi nëpërmjet kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV. Eshtë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 411 datë 20.09.2022 “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare”, i cili përcakton modalitetet e mbajtjes nën kontroll të sëmundjes, dhe Urdhri Nr. 177, datë 28.03.2023 “Për miratimin e programit kombëtar të mbikqyrjes së Influencës Aviare”.
Shërbimi Veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Prej ditës së sotme, njoftojmë fermerët, mbarështuesit e shpendëve të cilësdo lloj specieje, se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz, në zbatim të Urdhrit të Minstrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:
Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla,
Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla
Moslejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
Top Channel