I ftuar në emisionin “Pardon My French” nëpërmjet një lidhje telefonike ka qenë artisti i njohur Shpat Deda. Ai ka zbuluar më shumë rreth koncertit autorial që pritet të mbajë në datat 19 dhe 20 maj i cili quhet ‘Udhëtim në Fjalë e Tinguj’.
Duke qenë që jemi vetëm dy ditë para natës së parë të koncertit si ndihet Shpat Deda?
Adrenalina ka filluar kam pak emocione, është adrenalinë me emocione por është një ndjenjë shumë e mirë.
A ishte momenti i duhur për të pasur një koncert autorial sipas tij?
Nuk e di a ishte fiks momenti por ishte një moment kur unë u ndjeva shumë i gatshëm, e pata edhe një program të përshtatshëm për të cilin kam luajtur disa herë në skena të ndryshme, në teatër nëpër Kosovë edhe është një program që me të vërtetë më pëlqen shumë dhe vendosa ta ngre edhe një nivel më lart në Tiranë dhe të organizoj diçka pak më ambicioze dhe më serioze dhe ja ku jemi sot, me dy netë të koncertit ‘Udhëtim në Fjalë e Tinguj’.
Vendosja e datës së dytë 20 maj ka qenë për shkak se biletat për natën e parë ishin të gjitha ‘sold out’?
Po, e vërtetë është. Mua më ka bërë që të ndihem shumë i vlerësuar dhe shumë mirë. Nata e parë ka tashmë gati dy javë që është sold out. Jemi mobilizuar dhe menjëherë kemi hapur edhe natën e dytë për të cilat kanë mbetur edhe disa vende.
Tekstet e këngëve të tij janë gjithmonë shumë të veçanta, të bukura, të thella dhe romantike, a janë ato të bazuara në histori të vërteta dhe personale?
Po normal. Gjithçka që unë shkruaj është bazuar mbi një përjetim timin, mbi një përvojë timen megjithatë mundohem që t’i mbaj tekstet sado personale edhe pak abstrakte që të lë mundësi edhe tek të tjerët që të përjetojnë diçka të ngjashme që të gjejnë veten në ato tekste. Në të tre albumet që kam bërë këto 15 vitet e fundit që merrem me muzikë në njëfarë mënyre janë ditar i periudhave të ndryshme të jetës sime kur kam qenë në atë periudhë që kam shkrujatur ato. Ky i fundit është pak më ndryshe sepse e kam shkruajtur në të 30-at prandaj edhe temat që kam trajtuar aty janë edhe pak më ndryshe.
Shpati gjithashtu ka zbuluar në lidhje me koncertin se:
Me Edonën e kemi një këngë bashkë që e kemi lançuar dhe do ta performojmë dhe gjithashtu kam edhe një trupë baleti. Është gjithashtu një skenografi magjepsëse e cila po krijohet brenda në sallë. Unë mezi po pres të vij nesër dhe ta shoh çfarë është bërë.