Ditën e sotme në emisionin “Live From Tirana”, ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike, artisti i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, Shpat Deda. Bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar Visar Kuçi dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, ai vjen me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore për herë të parë për publikun e gjerë tiranas. Shpati do të vijë me një koncert më 19 maj në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti i artistit do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio.
Çfarë ka ndryshuar tek ty që nga albumi yt i parë e deri tani?
Kam ndryshuar unë, prandaj kanë ndryshuar dhe albumet. Kanë ndryshuar dhe temat që shtjelloj në albume, sidomos në atë të fundit “Rrugës”, që kam qenë pak më i rritur kur i kam shkruar ato tekste. Kam qenë në një pikë tjetër të këtij rrugëtimi, që e quajmë jetë.
A ia ‘ke parë hajrin’ kësaj pune?
Hajrin ia kam parë shumë. Por unë hajrin nuk e mas me para, edhe pse unë paguhem për këtë punë. Por nuk e kam burim primar dhe nuk është shtytësi im kryesor për të bërë muzikë. Hajrin ia kam parë nëpërmjet momenteve shumë të bukura që i kam përjetuar gjatë gjithë jetës, më së shumti përmes miqësive që kam bërë me njerëz të ndryshëm nëpër botë. Kjo është pasuria më e madhe që dikush mund të ketë. Është dhurata më e madhe për një artist.
Çfarë mund të na zbulosh lidhur me koncertin?
Nuk dua të zbuloj shumë, por do të them që është një skenografi ëndrrash. Unë mezi po e pres dhe jam shumë i lumtur që mundem t’i realizoj këto në Tiranë. Repertori është kryesisht me këngët e reja të albumit të fundit, të cilat e gjetën hapësirën e tyre në këtë koncert. Megjithatë do të ketë dhe disa nga hitet e mia si “Ëndërroj”, “Përgjithmonë”, “Shëndijë”, por do të këndohen në një version komplet tjetër nga sa jemi mësuar t’i shohim.
A do të ketë mysafirë ky koncert?
Po do të ketë mysafirë. Do të jem së bashku me Visar Kuçi dhe Tomor Kuçi. Do të jenë 7 apo 8 instrumente në skenë. Do të jetë një lojë spektakolare mes këtyre instrumenteve. Visari i bien 4 instrumenteve. Është diçka shumë interesante për ta parë e për ta dëgjuar. Më shumë është një shfaqje teatrale se sa një koncert i thjeshtë. Ka shumë improvizim, ka shumë eksperimentim.
Çfarë do të vijë së shpejti përveç koncerti?
Kam një këngë shumë të bukur që dua ta ripërpunoj. Por është ende në planin e planifikimit dhe shpresoj deri në fund të vitit ta sjell.
Bli biletën tënde në www.vivere.al