Bota

Shpalli ditë pushimi në nder të Mbretëreshës Elizabetë, të gjithë kundër kryeministrit australian!

Kryeministri australian, Anthony Albanese po përballet me reagime të ashpra nga sektori i biznesit dhe ai i shëndetësisë, pas shpalljes së një dite pushim për të gjithë vendin, për ceremoninë funebre të mbretëreshës së ndjerë Elizabeta e Dytë. Një ditë më parë, Albanese njoftoi se e enjtja e 22 shtatorit do të jetë ditë kombëtare pushimi e do të përkojë me një ceremoni përkujtimore në Kanberra në nderim të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila u nda nga jeta më 8 shtator.

Lajmi nxiti kritika nga profesionistët e kujdesit shëndetësor, të cilët thanë se natyra e shkurtër e këtij pushimi do të shkaktojë përçarje të madhe në sektorin e tyre, ku konsultimet e operacionet janë organizuar prej disa javësh e madje muaj përpara. Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Australisë (AMA), Steve Robson:

Ndërhyrjet kirurgjikale dhe shumë konsulta me pacientë janë rezervuar atë ditë. Eshtë shumë e vështirë të plotësosh spitalet dhe praktikat, në kohën më të mirë tani. Një përkujtimore publike e paparashikuar do ta bënte shumë të vështirë organizimin e personelit të spitaleve e klinikave.

Kirurgu Eric Levi u shpreh:

Për ata që thonë “qëndroni hapur”, mbani mend se ne kemi nevojë për infermierë, shëndetësi aleate, nëpunës e teknikë për të drejtuar një klinikë ose listë operative. Nëse shkollat dhe kujdesi për fëmijët mbyllen, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor nuk mund të vijnë në punë, ndërsa kujdesi shëndetësor nuk do të funksionojë.

Imagjinoni sikur kimioterapia juaj të ishte caktuar atë ditë dhe nuk ka mjaftueshëm mjekë e infermierë në klinikë, pasi ata duhet të jenë në shtëpi me fëmijët e tyre dhe sepse shkollat e kujdesi për fëmijët janë mbyllur.

Shefi ekzekutiv i Shoqatës Australiane të Shitësve me Pakicë, Paul Zahra:

Ky vendim do të krijojë disa komplikime për bizneset me mbylljen e dyqaneve dhe sfidat e caktimit të stafit. Do të ketë gjithashtu një humbje të vogël, por të papritur të tregtisë, me kosto shtesë të personelit, që mund të ndikojnë në të ardhurat e bizneseve të vogla.