Bota

Shpallet fituesi i Nobelit për Paqe, nderohet një grup japonez!

Këtë vit, Çmimi Nobel për Paqe iu dha grupit japonez, Nihon Hidankyo, një organizatë e të mbijetuarve të sulmeve me bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Vazhdimisht ata kanë bërë thirrje për braktisje të armëve bërthamore.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e publikoi njoftimin në Oslo, duke zgjedhur këtë grup mes 197 individëve dhe 89 organizatave të kandiduara. Çmimi ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve. Vitin e kaluar, iu akordua aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi e gjendur në burg për shkak të përpjekjeve kundër shtypjes së grave në Republikën Islamike.

Çmimi iu dha në kohën kur gratë e pambuluara po nxisnin emancipimin, pavarësisht represionit. Presidentja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha:

Aktivistja dhe gazetarja po shpërblehet për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë. Kur në Iran shpërthyen protestat për barazinë e grave vitin e kaluar (2022), nga burgu ajo shprehu mbështetje për demonstruesit.

Mohammadi është një grua, një avokate e të drejtave të njeriut dhe një luftëtare lirie. Komiteti Norvegjez i Nobelit nderon luftën e saj të guximshme për të drejtat e njeriut. Ky çmim është vlerësim edhe për qindra mijëra njerëz që kanë demonstruar kundër regjimit iranian.

Komiteti i Nobelit shtoi se shpreson që Republika Islamike ta lirojë Narges Mohammadin. Ndërkohë, reaguan Kombet e Bashkuara. OKB-ja deklaroi se “çmimi Nobel për Paqe nderon guximin dhe vendosmërinë e grave iraniane”. Dje u nda Nobeli i Letërsisë.   Autorja koreano-jugore, Han Kang, fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë, më 2024-ën, për “prozën e fuqishme poetike që konfronton trauma historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”. Në ditën e shpalljes së vendimit, juria deklaroi:

Ajo ka një vetëdije unike për lidhjet mes trupit dhe shpirtit, jetës e vdekjes. Stili i saj poetik dhe eksperimental është bërë inovator në prozën bashkëkohore.

Këto fjalë u theksuan nga Anders Olsson, drejtues i Komitetit të Nobelit, përmes një deklarate. Han Kang, koreano-jugorja e parë që fiton Nobelin për Letërsinë, e ka nisur karrierën më 1993-shin me publikimin e disa poemave ndërsa në prozë ka debutuar në vitin 1995, me krijimin me titull “Love of Yeosu”.

Famën ndërkombëtare e mori me novelën “The Vegetarian”. Vitin e kaluar me këtë çmim u nderua shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse. Nobeli ka vlerën e rreth 1.1 milion dollarëve. Ky vlerësim që ndahet për arritje në shkencë, letërsi dhe paqe u krijua me dëshirën e shpikësit të dinamitit, suedezit Alfred Nobel.

Çmimet ndahen prej vitit 1901. Më herët gjatë javës janë akorduar çmimet Nobel për Mjekësinë, Fizikën e Kiminë. Në Mjekësi iu dha amerikanëve Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e tyre të mikroRNA-së, një parim themelor që sistemon mënyrën se si rregullohet aktiviteti i gjeneve. Asambleja e Nobelit tha se zbulimi i tyre “po provonte të ishte i një rëndësie themelore për mënyrën se si organizmat zhvillohen dhe funksionojnë”.

John Hopfield, shkencëtar pranë Universitetit Princeton dhe Geoffrey Hinton nga Universiteti i Torontos morën Çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2024. Ata kanë punuar gjatë për kompjuterat që “mësojnë” duke siguruar vlerësimin e karrierës si pionerë të kërkimeve dhe vënies në zbatim të rrjetit nervor artificial, çka hedh bazat e Inteligjencës Artificiale moderne.

Dy ditë më parë, shkencëtarët David Baker, Demis Hassabis dhe John Jumper fituan Çmimin Nobel në Kimi për vitin 2024, për punën e tyre me strukturën e proteinave. Tradicionalisht, Çmimi Nobel për Ekonomi ndahet në fund duke pasuar atë për Paqen që pritet me interes.