Ndërhyrja e menjëhershme e forcave operacionale, të ndihmuara edhe nga rreth 120 efektivë të Forcave të Armatosura e helikopteri Cougar i Forcës Ajrore bëri të mundur shmangien e rrezikut nga zjarri përgjatë një fronti prej 9 km në Bashkinë Tepelenë, në fshatin Luzat.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shkak të erës së fortë, flakët u përhapën në një sipërfaqe të gjerë, por koordinimi i mirë i forcave në terren dhe i banorëve të fshatit, bëri të mundur përballimin e situatës së vështirë.
Puna vijon ende, deri në izolimin e plotë të flakëve.
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu kodrat e Mbyetit në Fier, pranë ish- repartit ushtarak. Flakët u përhapën me shpejtësi duke alarmuar banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve ndodhen pranë. Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse. Pranë ish-repartit dëgjohen shpërthime fishekësh.
Ministria e Mbrojtjes shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë efektivëve të përfshirë në aksionin për shuarjen e zjarreve, jo vetëm në këtë zonë, por kudo ku janë shfaqur problematika në territorin e vendit. Po ashtu, MM falënderoi banorët dhe forcat vullnetare që janë bashkuar në këto ditë të vështira për emergjencat civile.
Më herët, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC informoi se 33 vatra zjarri janë shuar gjatë 24 orëve të fundit, nga 39 të raportuara. 6 vatra mbeten aktive në pesë fshatra të bashkive Maliq, Kurbin, Lezhë, Elbasan e Tiranë, si dhe në Malin e Kakarriqit. Për fat të mirë, ato nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Në operacionet për shuarjen e flakëve është përfshirë dhe një helikopter Cougar krahas mjeteve për ndërhyrjen nga toka.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në: zonën pyjore Bode, Bashkia Maliq, fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, fshatin Gjadër, bashkia Lezhë, fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan dhe fshatin Kus, bashkia Tiranë.
Për shuarjen e plotë edhe të këtyre zjarreve janë duke punuar sot strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga ato në nivel qendror. Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara. Në operacionet e fundit për shuarjen e vatrave morën pjesë rreth 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.
AKMC-ja i bën thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë pa ndërprerje ndjekjen e situatave dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.