Një tjetër tragjedi është shmangur në lumin Buna, aty ku një 49-vjeçar tentoi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga ura. Policia raporton se qytetari me inicialet V. N. U pa duke kryer lëvizje të dyshimta te Ura e Bunës dhe tentoi të hidhej, por pas ndërhyrjes së forcave “Shqiponja” u parandalua tragjedia.
49-vjeçari u shoqërua në spital psikiatrik, për të marrë asistencën e nevojshme mjekësore, pasi nga verifikimet rezultoi se vuante nga shëndeti mendor. Ky është rasti i dytë që është parandaluar një tragjedi në lumin Buna, pas një 27-vjeçareje që tentoi të mbytej së bashku me katër fëmijët e saj një muaj më parë.
Ndërkohë kujtojmë që nuk ka kaluar shumë kohë nga ngjarja tragjike që tronditi Shkodrën dhe tërë opinionin publik, kur një grua u hodh në ujërat e Bunës bashkë me tre fëmijët e mitur: djalin 3 vjeç dhe vajzat e moshave 7 e 9 vjeçe. Trupat e tyre u rikuperuan pas kërkimeve intensive, me përfshirjen edhe të ushtrisë. Vetëm 9-vjeçarja u gjet menjëherë nga një peshkatar i zonës, i cili njoftoi autoritetet e tha për mediat se shpresonte deri në fund që të mos ishte një njeri në ato ujëra.