Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut i tha Zërit të Amerikës se autoritetet austriake i kërkuan “kontrollin e një personi me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i dyshuar për përfshirje në planifikim të një sulmi terrorist në Vjenë”. Më herët u aludua se ka origjinë shqiptare, me lidhje në Maqedoninë e Veriut e rrënjët në Shqipëri.
Dje autoritetet austriake arrestuan një shtetas të Austrisë 19-vjeç e me origjinë nga Maqedonia e Veriut, si të dyshuar për përfshirje në një komplot të dështuar për të sulmuar koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara e që planifikoheshin të mbaheshin në Vjenë sot, nesër dhe të shtunën.
Sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës, Shkupi tha se “po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake, por nuk dha më shumë hollësi se nga cila pjesë e vendit e kanë origjinën prindërit e të dyshuarit.
Ndërkohë, autoritetet austriake njoftuan se gjetën materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaedës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë për përfshirje në komplot.
Nuk ka të dyshuar të tjerë në kërkim pasi dy të dyshuarit u arrestuan, tha sot në Vjenë ministri i Brendshëm, Gerhard Karner. Situata ishte serioze, situata është serioze. Por, mund të themi se u parandalua një tragjedi.
Autoritetet e sigurisë njoftuan se i dyshuari i dytë, shtetas austriak 17-vjeçar me origjinë turke e kroate, u arrestua nga forcat speciale të policisë pranë stadiumit ku planifikohej mbajtja e koncerteve. Emrat nuk jepen, në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.
Zyrtarët austriakë të sigurisë pretenduan se dy të rinjtë donin të kryenin një sulm jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz që të ishte e mundur duke përdorur thika ose mjete shpërthyese artizanale. Në një konferencë shtypi në Vjenë, iu thanë gazetarëve se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, rrëfeu plotësisht planet rreth sulmit.
Ishte qartësisht i radikalizuar në frymën e Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë.
I dyshuari i dytë ishte punësuar pak ditë më parë në një kompani që ofron shërbime në mjediset e koncerteve. Hetuesit thanë se gjetën materiale të gjera në lidhje me Shtetin Islamik dhe al-Kaedan në shtëpinë e tij.
Anulimi koncerteve nuk u prit mirë nga adhuruesit e këngëtares Taylor Swift në botën. Shumë prej tyre kishin shpenzuar mijëra euro për udhëtime dhe akomodime në kryeqytetin e shtrenjtë të Austrisë për të ndjekur koncertet.
Franz Ruf, drejtor i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë tha se në shtëpinë e të dyshuarit 19-vjeçar u gjetën lëndë kimike dhe pajisje teknike. Sot në një intervistë me programin Oe1 të transmetuesit publik ORF, Ruf deklaroi:
Hetuesit po vlerësojnë provat e sekuestruara nga shtëpia e të dyshuarit. Vetëm pak javë më parë, 19-vjeçari kishte postuar një betim për besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të grupit Shteti Islamik.
Zv.kancelari i Austrisë, Werner Kogler shkroi në X:
Për shumë njerëz, një ëndërr u shkatërrua sot. Në tre mbrëmje në Vjenë, dhjetëra mijëra adhurues të këngëtares Swift duhet të kishin festuar së bashku. Më vjen shumë keq që ua mohuan këtë. Adhuruesit e Swiftit qëndrojnë së bashku, urrejtja dhe terrori nuk mund ta shkatërrojnë atë!