Bota

Shkrimtar dhe kritik, profili i të arrestuarit që u përpoq të vriste Trump-in!

Ryan Wesley Routh, i arrestuar në lidhje me një përpjekje për të vrarë Donald Trump-in në Florida rezulton autor i një libri të botuar vitin e kaluar e që përshkruante përpjekjet e tij për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Në librin me 291 faqe, 58-vjeçari nga Hauai, i vetëpunësuar në ndërtimin e shtëpive ekonomike, përshkruan zhgënjimin me luftën në Ukrainë, duke e quajtur “jo të fitueshme”.

Aty flitet dhe mbi pushtimin e Afganistanit nga talebanët e situatën politike në Tajvan, i përballur me kërcënime ushtarake në rritje nga Kina. Libri, i publikuar në Amazon pa asnjë botues të listuar, titullohet: “Lufta e pafitueshme e Ukrainës: E meta fatale e demokracisë, braktisja botërore e qytetari global-Tajvani, Afganistani, Koreja e Veriut dhe fundi i njerëzimit”. CNN nuk ka verifikuar në mënyrë të pavarur llogaritë e saj në libër.

Në të, Routh përshkruan se si kishte udhëtuar në kufirin Poloni-Ukrainë, në një përpjekje për t’u regjistruar në luftë por “në moshën 56-vjeçare, pa asnjë përvojë ushtarake, u largova pa dëshirë” në zyrën kufitare.

Në vend të kësaj, ai u përpoq të angazhonte më shumë luftëtarë për përpjekjet e luftës – duke udhëtuar për në Kiev ku dhe ngriti një qendër të improvizuar vullnetare në Sheshin e Pavarësisë përpara se ajo të çmontohej nga policia. Por më pas, ai “humbi të gjitha argumentet dhe thirrjet” e kaloi disa muaj në kampe në shenjë proteste, në vende të ndryshme rreth qytetit.

Kisha dhënë çdo grimcë motivimi dhe energjie që mund të grumbulloja për Ukrainën e të dilja duarbosh.

Ndër të tjera, në libër përshkruan përpjekjet e tij të pasuksesshme për të ndërtuar dronë për ushtrinë ukrainase me një ekip inxhinierësh ndërkombëtarë.

Agjentët federalë do të kërkojnë “një vlerësim të shëndetit mendor” të Ryan Wesley Routh-it përpara çdo procedimi të mundshëm penal.

Bazuar në shumë “deklarata të pazakonta” që besohet se janë postuar nga Routh në internet në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare gjeopolitike, hetuesit federalë presin që shëndeti i tij mendor të ekzaminohet si pjesë e procedurave gjyqësore për të përcaktuar nëse është apo jo i aftë për ndonjë gjyq.

Asnjë akuzë nuk është ngritur dhe vlerësimet e shëndetit mendor nuk janë të rralla në rastet që përfshijnë kërcënime ndaj zyrtarëve federalë nga individë që mund të kenë probleme të shëndetit mendor. Duket se 58-vjeçari votoi Trump-in në presidencialet e 2016-ës, por më pas u kthye në kritik ndaj tij duke e sulmuar në rrjetet sociale.

Kryeministri izraelit, Netanjahu u shpreh i shokuar nga përpjekja për të vrarë Trump-in. Më herët reagoi dhe kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris.