Shkon në 89 numri i viktimave nga zjarret në Maui të Hauait. Autoritetet amerikane thonë se përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar ata që humbën jetën, ende janë në fazat fillestare. Zjarret në Maui përbëjnë fatkeqësinë më vdekjeprurëse natyrore në Shtetet e Bashkuara prej më shumë se një shekulli.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë mbuluar vetëm 3% të zonës së kërkimit. Shefi i policisë në Maui, John Pelletier:
Duhet të kontrollojmë një zonë prej të paktën 5 mijë metrash katrorë e që është e mbushur me më të dashurit tanë. Ka të ngjarë që numri i viktimave të rritet se asnjë prej nesh, ende nuk e di shkallën e kësaj fatkeqësie. Identifikimi i viktimave është jashtëzakonisht sfidues.
Zjarret që nisën ditë më parë rrafshuan qytetin e vjetër të Lahainës me 13 mijë banorë.
Guvernatori Josh Green vizitoi disa zona për të parë nga afër shkatërrimet nga zjarri.
Ne vetëm mund të presim dhe të mbështesim të mbijetuarit. Fokusi ynë është të bashkojmë njerëzit e t’iu ofrojmë strehim, kujdes shëndetësor e më pas të nisim rindërtimin.
2 mijë e 200 ndërtesa janë dëmtuar apo shkatërruar në Mauin Perëndimor. 86% e tyre ishin godina banimi. Në mbarë ishullin, dëmet vlerësohet se janë rreth 6 miliardë dollarë. Duhet një kohë e gjatë për rimëkëmbje.
Të paktën dy zjarre të reja kanë shpërthyer në Maui, por nuk po raportohet për viktima. Për shkak të flakëve, 4 mijë e 500 të evakuar kanë nevojë për strehim.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të japin mostra të ADN-së, që të mund të identifikojnë viktimat. Numri i tyre ka tejkaluar shifrën 85 të personave që gjetën vdekjen nga zjarri në veri të Kalifornisë më 2018-ën. Një shekull më parë, në veri të Minesotës vdiqën qindra persona nga një zjarr.
Nuk pati sirena para se zjarret të kaplonin qytetet. Zyrtarët u dërguan banorëve mesazhe në telefona e njoftuan përmes mediave. Por, në kohën e shpërthimit të zjarreve pati ndërprerje të energjisë dhe të linjave të komunikimit.
Zjarret u përkeqësuan edhe më shumë për shkak të thatësirës dhe erërave të fuqishme të shkaktuara nga një uragan që kaloi pranë Mauit.