Lëndë plasëse banesës së një zyrtari të Policisë Shkodër, fatmirësisht pa të lënduar. Në orët e para të mëngjesit, një sasi tritoli shpërtheu në lagjen Dobraç përpara shtëpisë së shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Shkodrës, Pllumb Shpati. Banesa dhe automjeti i tij pësuan dëmtime. Ngjarja ndodh rreth orës 03:50 minuta e në njoftimin paraprak të policisë thuhet se vijon puna për zbardhjen e rrethanave të saj.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P.Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.