Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i drejtoi kërkese zyrtare Forcave të Armatosura që të bashkohen për të dhënë ndihmën e tyre në operacionin e policisë, RENEA-s e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në përpjekjet lidhur me gjetjen e tre trupave të pajetë në lumin Buna.
39-vjeçarja Alma Arrazi zgjodhi t’i jepte fund jetës së saj e të tre fëmijëve, djalit 3-vjeç e vajzave 6 dhe 9-vjeçare. Kjo tragjedi ka çuar në prangat e policisë kryefamiljarin, Erdgys Arrazi, i dyshuar për akte dhune e nxitje të vetëvrasjes.
Që të katërt përfunduan në ujërat e Bunës në Shkodër e deri tani është gjetur vetëm trupi i vajzës 9-vjeçe të familjes. Zbulimi u bë rastësisht nga një peshkatar, i cili tregoi momentin shokues kur e pikasi, teksa tha se iu duk si një kukull dhe se deri në momentin e fundit po shpresonte që të mos ishte një njeri.
Isha duke zënë peshk, por ishte errësirë dhe ndeza dritën e telefonit për të parë se mos ndoshta helika… por më bëri të dyshoj diçka, te rreth një metër ujë. M’u duk a kukull, a njeri. Për momentin u shokova se më vajti mendja për njeri. Mora policinë në telefon dhe pasi erdhën i çova te vendi atje. Pasi policët e nxorën, u konstatua se ishte njeri. U shokova, thoja inshalla nuk është njeri! Ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar as në lajme, a është mbyt njeri a jo…
Kërkimet për gjetjen e trupave po vijojnë në mënyrë intensive edhe në lumin Drin përveçse në Bunë e po ashtu edhe në pjesën e Malit të Zi. Ndërkaq, sot i jepet lamtumira e fundit, 9-vjeçares Ergesa.
Motra e Alma Arrazit ka deklaruar në polici se 39-vjeçarja dhunohej nga Erdgysi. Nga dëshmitë e para, u mësua se gruaja me të vegjlit, ditën që u zhdukur kishte pirë kafe me kunatën, nusen e vëllait të Erdgysit, por janë ndarë, pa ngritur asnjë dyshim për vendimin fatal që do të pasonte. Sipas një dëshmie tjetër, thuhet se e reja kishte mësuar se fundmi se bashkëshorti e tradhtonte me një grua tjetër. Po sipas burimeve, ai e nxirrte live te dashurën e tij në celular dhe ia tregonte vajzës së madhe.