Përpjekja e parë e Neuralink për të implantuar çipin në trurin e një qenieje njerëzore ka hasur në një pengesë të papritur pasi pajisja ka filluar të shkëputet nga truri i pacientit. Pacienti, Noland Arbaugh, iu nënshtrua një operacioni në shkurt për të vendosur një çip Neuralink në trurin e tij, por funksionaliteti i pajisjes filloi të ulet brenda muajit.
Disa nga fijet e pajisjes, që lidhin kompjuterin në miniaturë me trurin, kishin filluar të tërhiqen. Neuralink nuk zbuloi pse pajisja u tërhoq pjesërisht nga truri i Arbaugh, por deklaroi se inxhinierët e saj e kanë rivendosur funksionalitetin.
Por, tërheqja e pjesshme e pajisjes nuk e ka penguar pacientin të luajë lojë shahu duke përdorur mendimet e tij. Bëhet e ditur se implanti i Arbaugh filloi të kishte probleme kur një numër i pazbuluar i fijeve të çipit u tërhoqën nga truri duke rezultuar në një ulje të numrit të elektrodave efektive.
— Neuralink (@neuralink) March 20, 2024
Neuralink i Elon Musk u vlerësua me rreth 5 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe ka promovuar gjerësisht suksesin e implantit të parë, duke e pozicionuar veten si një lider botëror në teknologjinë e çipave të trurit. Përpara se kompania të kryente implantin e parë njerëzor, ajo ka eksperimentuar për vite me radhë me kafshë, duke përfshirë delet, derrat dhe majmunët.
Rikujtojmë, se një histori e pabesueshme ka ardhur së fundmi nga Rusia, ku një person, zgjodhi një metodë të padëgjuar më parë, për të kontrolluar ëndrrat e tij. Ai instaloi një çip në kokën e tij, por një incident gjatë një seance stërvitore bëri që atij t’i dëmtohej pajisja në fjalë, çka e bëri të domosdoshme një ndërhyrje kirurgjikale, pasi i rrezikohej jeta. Çipi i vendosur në kafkën e Mikhail Radugës, sipas këtij të fundit, e ndihmonte atë me ëndrrat, për të cilat thotë se ka punuar që në fëmijëri dhe ka eksperimentuar në këtë temë prej një viti e gjysmë.