Celebrities Lancio Magazine Music

“Shkëpusin famën nga…”/ Lira Blakaj tregon se si është të punosh me Ylli Limanin dhe jo vetëm!

E ftuar në emisionin “Lancio” nëpërmjet një lidhje telefonike me Erma Mici ka qenë artistja Lira Blakaj. Ajo është një artiste, tekstshkruese dhe kompozitore nga Prishtina. Deri tani këngët e saj janë dëgjuar përmes zërave më eminent të industrisë shqiptare si Yll Limani, Dhurata Dora, Dafina Zeqiri, Loredana, Semi Jaupaj, etj. Së fundmi ajo ka filluar të ndajë nga paleta e saj krijuese këngë personale, duke bërë kështu debutimin e saj si këngëtare. E inspiruar nga muzika pop, dance pop, R&B, dance electronic, disco, Lira synon të sjellë një profil të paeksploruar në muzikën shqiptare.

Lira është bërë pjesë e The Top List në vendin e 29-të me projektin e saj të parë muzikor titulluar “MUA”. Si ndihet kjo për këtë arritje të saj?

Ndihem shumë mirë. Është projekti im i parë serioz dhe këto ditë kam marrë një vëmendje ndoshta edhe pak të papritur. Nuk e kisha marrë me mend se sa kënaqësi është që të shohësh njerëz që e shijojnë muzikën tëndë dhe që e shijojnë në nivele të përafërta me atë tëndin kur je në studio dhe je duke e krijuar kompozimin në fjalë. 

Si ka nisur udha e saj në muzikë?

Rrugëtimi im në muzikë ka filluar në moshë të vogël. Vij nga një familje, e cila është e talentuar në arte dhe jo vetëm në muzikë. Nëna ime këndonte gjithashtu kur ishte më e re. Të dy prindërit e mi kanë vesh të zhvilluar muzikorë. Shumë e vogël kam filluar të shkoj në shkollë të muzikës me instrumentin e pianos, ku më vonë mësova pak a shumë edhe instrumentin e kitares. Ndërkohë për shkak të pasionit tim të madh në lexim, fillova të eksperimentoja me formatin e poezisë dhe më vonë me poezinë e kënduar ose këngën. 

Siç edhe e lartpërmendëm, Lira ka shkruar tekste edhe për këngëtarë si Yll Limani, Dhurata Dora, Dafina Zeqiri, Loredana, Semi Jaupaj, etj., ku artistja përmend se ka një shoqëri të ngushtë më shumë me Yllin, ku më tepër shtoi:

Për shkak të shoqërisë së ngushtë me Yllin, mbase raporti me të është më interesant. Por në të njëjtën kohë, më besoni se nuk kam pasur një eksperiencë aspak të keqe me këngëtarë të tjerë si me Dafinën, apo Loredanën, apo Semin. Kanë qenë përvoja super të mira. Edhe energjia në studio ka qenë shumë inspiruese dhe e gjallë. T’i takosh personalisht këto njerëz ka qenë shumë përvojë e mirë. sepse me të vërtetë janë njerëz shumë të thjeshtë sa ndonjëherë mendon sa bukur e shkëpusin atë imazhin e famshëm që kanë prej identitetit të vërtetë, që besoj është një sfidë shumë e madhe për disa artistë.