Aktualitet

Shkencëtarët krijojnë një vaksinë me potencial për të mbrojtur kundër koronavirusëve të ardhshëm!

Shkencëtarët kanë krijuar një vaksinë që ka potencialin për të mbrojtur kundër një gamë të gjerë të koronaviruseve, duke përfshirë varietete që ende nuk dihen.

Doza eksperimentale, e cila është testuar te minjtë, shënon një ndryshim në strategjinë drejt vaksinimit proaktiv, ku vaksinat janë projektuar dhe gati për prodhim përpara se të shfaqet një virus potencialisht pandemik.

Vaksina është bërë duke bashkangjitur proteina të padëmshme nga koronaviruse të ndryshëm në nanogrimca të vogla që më pas injektohen për të nxitur mbrojtjen e trupit për të luftuar viruset.

Për shkak se vaksina ‘trajnon’ sistemin imunitar, mbrojtja është jashtëzakonisht e gjerë, duke e bërë atë efektive kundër viruseve të njohur dhe të panjohur në të njëjtën familje.

“Ne kemi treguar se një vaksinë relativisht e thjeshtë mund mbrojë për një sërë virusesh të ndryshme”, tha Rory Hills, studiues.

Testet në minj treguan se vaksina shkaktoi një përgjigje të gjerë imune ndaj koronaviruseve, duke përfshirë Sars-Cov-1, patogjenin që shkaktoi shpërthimin e Sars në 2003, edhe pse proteinat nga ai virus nuk u shtuan në nanogrimcat e vaksinës.

Hills thotë se po punojnë me partnerë industrialë për mënyrat për të përshpejtuar procesin. Nanogrimcat dhe proteinat virale mund të bëhen në kohë të ndryshme në vende të ndryshme dhe të përzihen së bashku për të prodhuar vaksinën.

Nëse vaksina do të rezultonte e sigurt dhe efektive tek njerëzit, një opsion do të ishte përdorimi i saj si një përforcues i Covid-it me përfitimin shtesë të mbrojtjes nga koronaviruset e tjerë.

Prof Mark Hoëarth, autor i studimit, tha se shkencëtarët bënë një punë të shkëlqyer në prodhimin e shpejtë të një vaksine efektive për Covid gjatë pandemisë së fundit, por bota ende kishte një krizë masive me një numër të madh vdekjesh.

“Ne duhet të kuptojmë se si mund të bëjmë edhe më mirë se kaq në të ardhmen dhe një komponent i fuqishëm i kësaj është dhe krijimi i vaksinave paraprakisht.”

Detajet e studimit, një bashkëpunim midis universiteteve të Kembrixhit dhe Oksfordit dhe Institutit të Teknologjisë në Kaliforni, janë publikuar në Nature Nanotechnology.